Specializantët me vetëfinancim mes vendimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të ish-ministrit Zemaj

Një vendim i marrë nga ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj për lirimin e specializantëve me vetëfinancim, po mohohet se ekziston në formë të shkruar nga Ministria e Shëndetësisë.

Specializantët me vetëfinancim po shprehen të revoltuar për faktin që Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga ta që të paguajnë për shkollimin e tyre për vitin 2023.

Edhe pse Udhëzimi Administrativ për Shkollim Specialistik i vitit 2017 i obligon ata që të paguajnë 500 euro në vit, ata kanë dy vite që nuk e kanë kryer këtë pagesë. Për shtetasit e huaj, kjo vlerë është e dyfishuar.

Ish-ministri Armend Zemaj i kishte liruar ata nga kjo pagesë më 1 shkurt 2021. Këtë informatë, ish-ministri Zemaj e kishte bërë të ditur në një konferencë për media.

“Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj bëri të ditur sot se lirohen nga pagesa e shkollimit specialistik për çdo vit, të gjithë specilizantët me vetëfinancim” – thuhet në komuniktën e lëshuar atëherë.

Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë, tash nën udhëheqjen e Arben Vitisë, ka kërkuar nga këta specializantë që ta kryejnë këtë pagesë për vitin 2023 deri më 30 qershor.

Siç thotë Ministria, Zemaj nuk kishte marrë asnjë vendim të shkruar për lirim nga pagesa, por vetëm kishte dhënë deklaratë në konferencë, e cila siç thotë Ministria, nuk e shfuqizon aktin nënligjor dhe kjo do të mund të bëhej vetëm me plotësim/ndryshim të udhëzimit.

Armend Zemaj i kontaktuar nga KALLXO.com, e demantoi këtë dhe tha se ai ka qenë vendim i shkruar.

“Pse ai vendim fshihet ose diçka tjetër ku ka mbetë, duhet të japin përgjegjësi ose përgjigje në Ministrinë e Shëndetësisë” – u shpreh ai.

Për Nol Smajlin, anëtar i Këshilli të Specializantëve, kjo kërkesë është absurde, duke pasur parasysh edhe faktin që Qeveria e Kosovës më 8 shkurt ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën specializantëve me vetëfinancim prej 1 janarit deri më 31 dhjetor 2023.

“Ministria e Shëndetësisë për shkak të ikjeve masive të mjekëve dhe rrezikut që Klinikat dhe Spitalet rajonale të mbeten pa mjekë merr vendim që të na subvencionojë për me na lehtësu shkollimin dhe të na stimulojë që të rrimë në vendin tonë. Këndej na jep subvencione, e këndej na kërkon pagesë ku na rëndon shumë financiarisht” – është shprehur ai për KALLXO.com.

Smajli shtoi se shumica prej tyre janë kryefamiljarë.

Sipas Ligjit për Paga, koeficienti për mjekët në specializim është 8, që do të thotë se ata paguhen 840 euro bruto për çdo muaj.

Në cilat nene po thirren palët?

Ministria e Shëndetësisë kërkesën për pagesa e ka bazuar në nenet 60.4 dhe 56 të Udhëzimit Administrativ për Shkollim Specialistik të vitit 2017.

Neni 60.4 i këtij udhëzimi, tanimë i shfuqizuar parasheh që shkollimi specialistik me vetëfinancim është me vlerë 500 euro për çdo vit. Ndërsa, neni 56 thotë se kjo vlerë për shtetasin e huaj është 1 mijë euro.

Duke qenë se ky udhëzim është i shfuqizuar me hyrjen në fuqi të udhëzimit të ri në shkurt të 2023-tës, Ministria po thirret edhe në një nën të udhëzimit të ri.

“Bazuar në Udhëzimin Administrativ 01/2023 për shkollim specialistik, Neni 46, pika 1 për specializantët të cilët kanë filluar shkollimin specialistik para hyrjes në fuqi të këtij Udhëzimi Administrativ zbatohen dispozitat e Udhëzimit Administrativ në kohën e fillimit të shkollimit specialistik” – ka thënë MSH për KALLXO.com.

Mirëpo, Smajli dhe Zemaj përmendën pikën e dytë të nenit të lartpërmendur.

“Me përjashtim të paragrafit 1 të këtij neni, për specializantët të cilët kanë filluar shkollimin specialistik para hyrjes në fuqi të këtij Udhëzimi Administrativ, do të zbatohen dispozitat më të favorshme të përcaktuara me këtë Udhëzim Administrativ” – thotë pika dy e nenit 46.

Duke u thirrur në këtë nen, sipas tyre, ajo që është më e favorshme për specializantët është që të mos paguajnë.

Armend Zemaj thotë se vendimin për lirim nga pagesa e kishte marrë duke u bazuar në nenin 60, pika dy e udhëzimit të vitit 2017.

Ky nen thotë se shkollimi specialistik është me pagesë dhe pa pagesë vjetore në bazë të dispozitave të këtij UA.

Pika dy e të njëjtit nen thotë se përjashtimisht, Ministri i Shëndetësisë me vendim mund të përcaktojë këtë pagesë vjetore.

“Ministri e përcakton shumën, ministri mund ta përcaktojë zero, ka shumë një euro, varet se si ai e sheh përkrahjen për ta” – thotë Zemaj.

Për lirimin e specializantëve me vetëfinancim nga pagesa vjetore, Armend Zemaj tha se ka vendosur edhe për shkak të rrethanave pandemike të asaj kohe, për të stimuluar marrjen e specializimeve dhe për të ndaluar ikjet e mjekëve nga Kosova.

Ai shtoi se kjo ka qenë kërkesë e vetë specializantëve shumë më herët.

Specializantët kanë dërguar ankesë në Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me këtë, por sipas tyre nuk kanë pranuar ende përgjigje. Në rast se nuk marrin përgjigje edhe më tutje, Smajli paralajmëron edhe protestë.