Arrijnë në Kosovë frigoriferët për ruajten e vaksinave anti-COVID

Vaksinat kundër COVID-19 pritet të vijnë në Kosovë në muajin shkurt 2021, mirëpo institucionet shëndetësore në vend kanë filluar përgatitjet.

Sot në Kosovë kanë ardhur frigoriferët për ruajtjen e vaksinave.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se përmes këtyre frigoriferëve bëhet ftohja dhe mirëmbajtja e vaksinave.

“Sot arritën frigoriferët për ruajtjen e vaksinës anti Covid, të siguruar nga Ministria e Shëndetësisë që bëjnë ftohjen dhe mirëmbajtjen për vaksinat deri në – 86 gradë.

Jemi gati për pranimin e vaksinës, siç kërkojnë kushtet e ruajtjes, të cilat e kërkojnë frigoriferin deri në minus 70 gradë” , ka shkruar Zemaj.

Ai gjithashtu ka njoftuar se kanë përgatitur strategjinë për vaksinim dhe distribuimin e saj.

“Në MSh dhe IKShKP janë marrë të gjitha masat dhe jemi përgatitur për vaksinim. Vaksina po vjen”, thuhet tutje në njoftim.

Ministri ditë më parë ka njoftuar se deri më tani Kosova ka siguruar 1 milion 220 mijë vaksina, përderisa është deklaruar se 535 mijë vaksina do të dhurohen nga kompania Pfizer.

Në anën tjetër MSh ka ndarë 4 milion euro nga buxheti i Kosovës për vaksinat kundër pandemisë së coronavirusit.

Nga 13 marsi deri më tani në vend janë regjistruar mbi 50 mijë raste pozitive me SARS-CoV-2, ndërsa mbi 1 mijë persona kanë vdekur si pasojë e infeksionit.

Zemaj: Kemi siguruar 1 milion e 220 mijë vaksina anti- COVID-19