LDK: Shkelja e ligjeve dhe kushtetutshmërisë nga qeveria Kurti është bërë normalitet
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po vlerëson se qeveria Kurti 2 do të mbahet në mend si qeveria që e ka shkelur vazhdimisht kushtetutën.
Deputeti Armend Zemaj dhe anëtari Shkëmb Manaj përmes një konference për media kanë thënë se qeveria Kurti vazhdimisht po i shkelë ligjet vetëm për pushtet.
“Shkelja e ligjeve dhe kushtetutës ka kaluar në normalitet, shkel mbi parimet, të drejtat e njeriut, mediat e pavarura, gjithçka që është demokratike, shkelë mbi shtetin vetëm për pushtetin. Më shumë se shkeljet është padituria, paaftësia e kësaj qeverie, dhe më e keqja është padëgjueshmëria e kësaj qeverie përballë mësimeve dhe këshillave të mira, të opozitës, shoqërisë civile, partnerëve dhe miqve ndërkombëtar”- tha deputeti Armend Zemaj.
Shkëmb Manaj tha se ministrat e Kurtit vazhdimisht po marrin kartona të kuq nga Gjykata Kushtetuese.
“Sot lajm do të ishte nëse ky pushtet nuk shkel ligje dhe Kushtetutë, këta janë shkelës të ligjit, kushtetutës e shtetit, për apetite të pushtetit. Gati gjysma e ekipit qeverisës kanë marrë karton të kuq nga Gjykata kushtetuese”- tha ai.
Sipas tij, Kurti po i shpërblen ministrat që po e shkelin ligjin.
“Në vend që të përjashtohen nga ekipi qeverisës ata mbrohen e çmohen nga i pari i tyre, i cili sa ishte në opozitë thoshte se kush e shkel ligjin është kriminel e kush e shkel kushtetutën është super kriminel, e sot kush e shkel ligjin është i shpërblyer nga Albin KIurti e kush e shkel kushtetutën është super i shpërblyer”- tha ai.
Manaj përmendi vendimin e djeshëm të Kushtetueses e cila gjeti Ligji për Zyrtarët Publik se nuk është në përputhje me Barazinë para ligjit dhe vlerat e Kushtetutës.
“Dje fitoi drejtësia, kushtetutshmëria, fitoj secili zyrtar publik, fitoj administrata e shtetit”- tha ai.
Gjykata Kushtetuese dje publikoi vendimin në të cilin gjeti se Ligji për Zyrtarët Publik se nuk është në përputhje me Barazinë para ligjit dhe vlerat e Kushtetutës.
Miratimi i këtij ligji ka qenë një ndër objektivat e Qeverisë Kurti 2, mirëpo kishte arritur të miratohet tek në dhjetor të vitit të kaluar duke shmangur afatet procedurale të parapara sipas rregullores.
Ky ligj ka për qëllim rregullimin e marrëdhënies së punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht përcaktimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë pranimin, klasifikimin e pozitave, ndryshimin, përfundimin e marrëdhënies së punës, të drejtat dhe detyrimet në raport me marrëdhënien e punës, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës.
Kushtetuesja vendos lidhur me kërkesën e 10 deputetëve për ligjin për zyrtarët Publik