Zemaj dhe Ramadani përplasen rreth kandidatëve për anëtarë të bordit të RTK-së

Komisioni Ad hoc për përzgjedhjen e katër kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së, më 15.02.2024 ka mbajtur mbledhjen e parë.

Gjatë diskutimeve, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj, tha se në mesin e kandidatëve për këtë bord ka edhe ish anëtarë të bordit që kanë përfaqësuar interesa politike.

“Ligji dhe normat ligjore duhet të respektohen në plotni. Këtu kemi ish anëtarë të bordit që jo vetëm se nuk e kanë përfaqësuar vetën por kanë përfaqësuar interesa puro politike. Ka kërkesë prej 360 punëtorëve, apo peticion për shkarkimin e njërit anëtar të bordit” – tha Zemaj.

Ndaj kësaj reagoi, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Valon Ramadani, duke thënë se në procesin e kaluar për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të RTK-së, deputeti Zemaj dhe deputeti Agim Veliu kanë bërë poentim skandaloz.

“Në konkursin e kaluar Armend Zemaj dhe Agim Veliu kanë bërë poentim skandaloz. Ka pas poentim me 1 pikë. Prej 100 pikëve ka pasë poentim 4 pikë. Në vlerësimin që ju e keni bërë, keni hy edhe ma shumë seqë kanë thënë ata”- tha Ramadani.

“Ka pas një vlerësim para disa kohësh dhe është e vërtetë që dy anëtarë janë poentu në atë formë. Ka pas edhe të tjerë, por juve nuk u ka interesuar për te tjerët. Nuk t’i ka kry ai tjetri punët me ta ‘qit’ drejtorin e LVV-së, nuk ka qenë interes i Dejona Mihalit. Unë nuk fola me emra. 5-6 janë ish anëtarë, ti i përmende dy”- iu kundërpërgjigj Zemaj.

Deputeti Ramadani nga Lëvizja Vetëvendosje tha se ai nuk mund ta bëjë ‘lojën e njëjtë’ me poentimin e kandidatëve si Zemaj.

“ Nuk është fer me e përmend në këtë situatë. Nëse ka asi tendence si herën e kaluar kishim ‘mujt’ me lu atë lojë edhe na. Me shku si ju, LDK-ja 1,1,1,1 . Unë nuk mundem me vazhdu atë lojë, nuk mundem me vlerësu diplomen e masterit me 1 pikë … Unë jam për me e vlerësu se cili është më i miri“- tha ai.

Deputeti Zemaj në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së, të zhvilluar në nëntor të 2023, i kishte poentuar me nga 4 pikë Besnik Boletinin dhe Arta Berishën, ndërsa Agim Veliu e kishte poentuar me 7 pikë Arta Berishën, ndërsa me 10 pikë Besnik Boletinin.

Kjo kishte nxitur reagime të Lëvizjes Vetëvendosje për ‘kontaminim’ të procesit nga LDK-ja.

Sipas vlerësimit të Komisionit nga intervistat e zhvilluara në nëntor të 2023, nga 13 kandidatët e intervistuar, Mehmet Kalisi është renditur i pari me (904 pikë), më pas Ilir Bytyçi (865 pikë), Albinot Maloku (830 pikë), Shukrije Rama (807 pikë), Naile Demiri (719 pikë), Dritan Shaipi (710 pikë), Shpresa Jashari (700 pikë), Besnik Boletini (672 pikë), Arta Berisha (667 pikë), Donika Xhokli (636 pikë), Besa Maxhuni (579 pikë),  Faton Shatmani (495 pikë) dhe Afrim Gashi (469 pikë).

Konkursi për tre anëtarë të bordit të RTK-së, kryetari dhe nënkryetarja e bordit aktual nuk hynë te kandidatët më të poentuar