Pfizer dhe BioNTech: Diskutimet për vaksinën anti COVID-19 me Qeverinë e Kosovës janë konfidenciale

Pfizer dhe BioNTech nuk kanë konfirmuar nëse Kosova dhe këta prodhues kanë arritur marrëveshje për sigurimin e vaksinës anti COVID-19 për qytetarët e Kosovës.

Në një përgjigje për BIRN, ata kanë deklaruar se diskutimet me Qeverinë e Kosovë janë konfidenciale dhe se nuk mund të thonë asgjë në lidhje me deklaratat e Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, se tashmë janë siguruar 500 mijë vaksina nga ky prodhues.

“Pfizer dhe BioNTech janë të përkushtuar për të sjellë këtë vaksinë për të ndihmuar në përmbushjen e nevojës globale të shëndetit publik. Ne jemi në diskutime me Qeverinë në Kosovë për të siguruar qasje në vaksinë. Diskutimet me Qeverinë janë konfidenciale dhe nuk kemi asgjë për të njoftuar në kohën e tanishme”, thuhet në përgjigjen e Pfizer për KALLXO.com.

Zemaj ka thënë se njoftimin për sigurimin e vaksinës e kanë marrë nga përfaqësuesit e Pfizer në një takim virtual që kanë pasur të martën.

“Konfirmimin për sigurimin e këtyre vaksinave na e kanë dhënë përfaqësuesit e Pfizer gjatë një takimi virtual të mbajtur sot me ta. Siç e kemi bërë të ditur edhe më herët, MSh ka qenë e angazhuar prej muajsh në shumë drejtime për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19, me qëllim të përmbushjes së obligimeve që kemi ndaj qytetarëve dhe ruajtjes së shëndetit publik të tyre”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Gjithashtu Zemaj ka njoftuar se Kosova do të marrë nga mekanizimi Covax edhe 360 mijë vaksina falas për 20 për qind të popullatës.

“Vaksina do të sigurohen për të gjitha grupet e popullatës që duhet të mbulohen me vaksinim sipas projeksioneve të IKSHPK-së. Vaksina kundër COVID-19, do t’u jepet falas qytetarëve të vendit tonë”, ka përfunduar Zemaj.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, me datën 6 janar ka thënë se vaksinat e para pritet të vijnë në muajin shkurt, ndërsa sipas parashikimeve pritet që të vaksinohen rreth 20 mijë qytetarë brenda ditës.

“Kjo na jep mundësinë që të vaksinojmë një pjesë të konsiderueshme. Dje janë konkretizuar bisedat për 535 mijë vaksina, janë konkretizuar bisedat më Austrinë për 600 mijë vaksina. Kemi sigurua edhe buxhetin dhe janë ndarë 40 milion euro për vaksinën anti-covid. Presim që vaksinat e para të vinë në shkurt”, shtoi Hoti.

E ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se gjatë këtij muaji finalizohet marrëveshja mes MSH dhe kompanisë Pfizer në mënyrë që vaksinimi të filloj në muajin shkurt.

“Gjatë kësaj jave MSH dhe kompania Pfizer do të finalizoj marrëveshjen dhe në muajin shkurt do të filloj vaksinimin. Me qëllim të vaksinimit të suksesshëm instituti ka përcaktuar edhe grupet për vaksinim, të gjithë qytetarët që duhet të vaksinohen do të vaksinohen dhe tanimë kjo është e siguruar, vaksina do të jepen falas për popullatën”, tha Zemaj.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë në lidhje me vaksinat, por të njëjtit deri më sot nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.