Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Konkursi për tre anëtarë të bordit të RTK-së, kryetari dhe nënkryetarja e bordit aktual nuk hynë te kandidatët më të poentuar

Mehmet Kalisi, Ilir Bytyçi, Albinot Maloku, Shukrije Rama, Naile Demiri dhe Dritan Shaipi janë kandidatët më të poentuar nga 13 kandidatët e intervistuar nga Komisioni ad-hoc i Kuvendit të Kosovës për përzgjedhjen e tre anëtarëve të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës. Në listën e kandidatëve më të poentuar nuk kanë hyrë kryetari dhe nënkryetarja e bordit aktual të RTK-së, Besnik Boletini dhe Arta Berisha. 

Në vlerësimin ndaj kandidatëve për anëtarë të bordit të RTK-së ka pasur një diskrepancë në poentimin e deputetëve të pozitës dhe opozitës. Disa kandidatë nga deputetët e pozitës janë poentuar me shumë pikë ndërsa nga ata të opozitës me pak pikë dhe e kundërta.

Emrat e gjashtë kandidatëve më të poentuar do të dërgohen në Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhja e tre anëtarëve të bordit të RTK-së do të jetë në dorë të deputetëve. 

Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e tre kandidatëve për anëtarë të bordit të RadioTelevizionit të Kosovës ishte i përbërë nga dhjetë deputetë, Agim Veliu (kryetar) – LDK, Fitim Haziri – LVV, Armend Zemaj – LDK, Valon Ramadani – LVV, Njazi Isaku – LVV, Besim Muzaqi – LVV, Time Kadrijaj – AAK, Tinka Kurti – LVV, Isak Shabani – PDK dhe Fidan Jilta – KDTP.

Komisioni fillimisht ka hartuar pyetjet para se të nisin intervistat. Ata janë pajtuar që intervista për një kandidat të zgjas 15 minuta dhe t’u parashtrohen pesë pyetje. 

Sipas vlerësimit të Komisionit, nga 13 kandidatët e intervistuar, Mehmet Kalisi është renditur i pari me (904 pikë), më pas Ilir Bytyçi (865 pikë), Albinot Maloku (830 pikë), Shukrije Rama (807 pikë), Naile Demiri (719 pikë), Dritan Shaipi (710 pikë), Shpresa Jashari (700 pikë), Besnik Boletini (672 pikë), Arta Berisha (667 pikë), Donika Xhokli (636 pikë), Besa Maxhuni (579 pikë),  Faton Shatmani (495 pikë) dhe Afrim Gashi (469 pikë).

Deputetët kanë poentuar kandidatët në katër fusha: arsimi dhe përvoja (30 pikë), njohuritë për pozitën (30 pikë), vizioni (30 pikë) dhe integriteti (10 pikë).

Kryetari dhe nënkryetarja e bordit të RTK-së nuk hyjnë te kandidatët më të poentuar

Ndër kandidatët e intervistuar kanë qenë edhe Besnik Boletini, kryetari aktual i bordit të RTK-së; Arta Berisha, nënkryetare e bordit dhe Shukrije Rama anëtare e bordit. Boletini dhe Berisha nuk janë renditur te kandidatët më të poentuar nga Komisioni ndërsa Rama ka hyrë te emrat e kandidatëve që shkojnë në Kuvend.

4 pikë nga 100 pikë në total ka marrë Besnik Boletini dhe Arta Berisha nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj. 

Zemaj ka vlerësuar me vetëm nga një pikë, përvojën, njohuritë për pozitën, vizionin dhe integritetin e Boletinit e Berishës.

Deputeti tjetër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka poentuar me 7 pikë Arta Berishën ndërsa me 10 pikë Besnik Boletinin. 

Time Kadrijaj nga AAK ka poentuar me nga 30 pikë nga 100 pikë në total për katër fushat e vlerësimit kryetarin dhe nënkryetaren e tanishme të bordit të RTK-së. 

Berisha e Boletini ishin kandidatët më pak të poentuar nga të gjithë kandidatët nga deputetët e opozitës, Time Kadrijaj, Armend Zemaj dhe Agim Veliu.

Por nga 100 pikë Boletini e Berisha kanë marrë nga deputetët e pozitës, Tinka Kurti, Njazi Isaku, Valon Ramadani dhe Besim Muzaqi.

BIRN gjatë monitorimit të procesit të intervistimit ka vërejtur se deputetët e LDK-së, Armend Zemaj dhe Agim Veliu, te dy kandidatë kanë bërë nënpyetje krahas pyetjeve për të cilat janë dakorduar si komision në fillim. 

Ndonësë deputetët në fillim të mbledhjes kanë thënë se poentimi është i hapur, deputetët e këtij komisioni vlerësimin e kanë bërë për të gjithë kandidatët në fund të intervistimit.

Standardi i ekspertëve britanikë të cilët angazhohen nga Ambasada britanike në Kosovë për asistimin e institucioneve të Kosovës për rekrutim të pozitave të larta, është që anëtarët e komisionit vlerësues t’i bëjnë publike pikët e dhëna për secilën përgjigje të kandidatëve.

Përveç kësaj, në rastet kur ka dallime të mëdha në poentim, anëtarët e komisionit vlerësues japin arsyetime dhe argumente për secilin poentim të bërë. 

Konkursi për tre anëtarë të bordit të RTK-së është hapur pasi që në dhjetor të këtij viti u skadon mandati tre anëtarëve aktualë të bordit: Arta Berisha, Besnik Boletini dhe Shukrije Rama.

Që të tre kanë garuar edhe për një mandat të dytë por vetëm Shukrije Rama nga kjo treshe do të shkojë për votim në Kuvend. 

Shënim: Më 02.11.2023, në ora 13:45, është edituar teksti tek poentimi i kandidatëve. Në pikët e publikuara nuk kanë qenë të llogaritura pikët që ka dhënë njëri nga anëtarët e vlerësimit. Renditja e gjashtë të parë është e njëjtë.