Zemaj: Kosova ka siguruar 500 mijë vaksina anti- COVID nga Pfizer

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se Kosova ka siguruar 500 mijë vaksina anti COVID nga kompania Pfizer.

Zemaj ka thënë se njoftimin për sigurimin e vaksinës e kanë marrë nga përfaqësuesit e Pfizer në një takim virtual që kanë pasur sot.

“Konfirmimin për sigurimin e këtyre vaksinave na e kanë dhënë përfaqësuesit e Pfizer gjatë një takimi virtual të mbajtur sot me ta. Siç e kemi bërë të ditur edhe më herët, MSh ka qenë e angazhuar prej muajsh në shumë drejtime për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19, me qëllim të përmbushjes së obligimeve që kemi ndaj qytetarëve dhe ruajtjes së shëndetit publik të tyre”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Gjithashtu Zemaj ka njoftuar se Kosova do të marrë nga mekanizimi Covax edhe 360 mijë vaksina falas për 20 për qind të popullatës.

“Vaksina do të sigurohen për të gjitha grupet e popullatës që duhet të mbulohen me vaksinim sipas projeksioneve të IKSHPK-së. Vaksina kundër COVID-19, do t’u jepet falas qytetarëve të vendit tonë”, ka përfunduar Zemaj.