Zemaj pyet Bordin e ShSKUK-së për pacientët në listë të pritjes prej 2018-të

Çështja e listave të gjata të pritjes së pacientëve është diskutuar sot në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Shëndetësi ku të ftuar për raportin kanë qenë Bordi i ShSKUK-së.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se ka informacione që ka pacientë në listë të pritjes prej vitit 2018.

“Pika e dytë është listat e pritjes. Në të gjitha klinikat. Raportohet se ka listë prej vitit 2018, mos të flasim për 2021, 2022. Duhet një qasje krejt ndryshe. Kur është përpiluar së fundmi lista e pritjes?”- ka pyet ai.

Kryesuesi i Bordit të ShSKUK-së, Naim Bardiqi ka thënë se më 26 qershor 2023 Bordi ka kërkuar të ju dërgohen listat e pritjeve.

Lidhur me këtë çështje, Bardiqi ka përmendur disa arsye pse krijohen listat e pritjeve.

“Në funksion të kësaj kemi identifikuar se listat e pritjeve në nivelin e QKUK-së janë për pasojë e mos racionalizimit të stafit, do të thotë dypunësimi. Në këtë drejtim është keqpërdorimi në mungesë të mekanizmave të monitorimit të përiudhës kohore, do të thotë mosprezenca në punë, mungesë të barnave, mungesë ose mosmirëmbajtje e paisjeve të tekonologjisë janë arsyet thelbësore pse krijohen listat e pritjes”- ka thënë ai.

Bardiqi ka shtuar se do të kërkohet plan veprimi që të krijohet mundësia e zvogëlimit të listave apo aty ku është e mundur të eliminohet e gjitha.

Deputeti Armend Zemaj përveç kësaj, ka ngritur për diskutim edhe temën e mungesës së barnave esenciale.

Në mbledhjen e Komisonit për Shëndetësi ka qenë i ftuar edhe drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi i cili është emëruar disa ditë më parë.

Deputeti Zemaj ka thënë se Azizi është drejtori i katërt që është emëruar brenda 30 muajve të Qeverisë Kurti.

“Unë uroj që pas një kohe të gjatë paqartësie në institucione të fillojë puna konkrete. Janë 30 muaj të kësaj qeverie është drejtori i 4 i ShSKUK. Kisha pas dëshirë më pa një drejtor që kryen punën sipas ligjeve në fuqi jo i kapur nga shteti”- ka thënë ai.

Muaj më parë, KALLXO.com ka raportuar se pacientët duhet të presin deri në një vit për të caktuar termin te logopedi në Klinikën e ORL-së në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë – QKUK.

Një vit pritje për të caktuar termin në Logopedi në QKUK – VIDEO