Manastiri i Deçanit. Foto: Wikimedia.org

BE e shqetësuar për moszbatimin e vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka reaguar rreth moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mosmarrëveshjen e tokës në Deçan.

Ajo përmes një publikimi në llogarinë e saj, ka bërë thirrje që ky vendim të fillojë zbatimin pa vonesa të mëtejme për shkak se është vendimi i autoritetit më të lartë në Kosovë.

“BE shpreh shqetësim të thellë për mungesën e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 19 majit 2016 mbi çështjen e mosmarrëveshjes së tokës në Deçan dhe të tjerave që ndikojnë në pronat e anëtarëve të komuniteteve jo-shumicë. Vendimet nga autoriteti më i lartë ligjor i Kosovës janë përfundimtare dhe duhet të zbatohen pa vonesa të mëtejshme. BE u bën thirrje autoriteteve në të gjitha nivelet që të mbështesin fuqishëm sundimin e ligjit si një parim themelor demokratik”, ka shkruar Apostolova.

Bëhet fjalë për 24 hektarë tokë që i ishin dhuruar Manastirit të Deçanit me një marrëveshje të Qeverisë së Serbisë dhe këtij manastiri në vitin 1997.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur në favor të Manastrit të Deçanit për pronat e kontestuara të dy ndërmarrjeve publike të kësaj komunë “Apiko” dhe “Iliria” në hapësirën prej rreth 24 hektarësh.

Kështu sipas vendimit  të fundit të marrë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës (shih dokumentin) më 20 maj, pranohet ankesa e Manastirit të Deçanit dhe ka vendosur se  ´ qe  dy vendimet  e  Kolegjit te Ankesave te Dhomës së Posaçme te Gjykatës Supreme te Republikës se Kosovës për (çështje qe lidhen me Agjencinë Kosovare te Privatizimit, te 12 qershorit 2015, nr. AC-I-13-0008 dhe nr. AC-1-13-0009, janë te pavlefshme, dhe se dy vendimet e  Kolegjit te Specializuar për Pronësinë te Dhomës se Posaçme te Gjykatës Supreme për (çështjet qe Lidhen me Agjencinë Kosovare te Privatizimit te  27 dhjetorit 2012, nr. SCC-08-0226 dhe nr. SCC-08-0227, janë përfundimtare të detyrueshme dhe, si të tilla, jane ree judicata“ thuhet në fund të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Vendimin e Gjykatës Kushtetuese e kishte përshëndetur edhe Presidenti Hashim Thaçi.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese rreth pronës kishtare në Deçan është i bazuar në Kushtetutën e Shtetit dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kosova është shtet ligjor ku vendimet gjyqësore respektohen. Prona është e patjetërsueshme, e kujtdoqoftë ajo,” shkroi Thaçi në Facebook.

Udhëheqësit e Komunës së Deçanit në kohën e marrjes së vendimit nga Kushtetuesja e kishin konsideruar të dëmshëm sepse sipas tij ajo tokë është pronë shoqërore dhe do të duhet të u takonte qytetarëve deçanas.

Në Deçan ishte protestuar disa herë kundër këtij vendimi.

https://kallxo.com/kushtetuesja-e-pranueshme-kerkesa-e-manastirit

https://kallxo.com/decanasit-kundershtojne-vendimin-e-kushtetueses

https://kallxo.com/selmanaj-jo-kushtetueses-per-tokat-e-dhena-manastirit