Sefedin Aliu, PDSH, Saraj. Foto: Atdhe Mulla

Sefedin Aliu: Kemi Rrugë të Parregulluara që Nga Koha e Titos

Kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare për kryetar të komunës së Sarajit, Sefedin Aliu, premtoi se do të kujdeset për përmirësimin e gjendjes së rëndë të ambientit në mënyrë që ti japë mundësi zhvillimit të turizmit në këtë komunë.

“Do t’i heqim mbeturinat gjithandej, do ta mbajmë pastërtinë në bashkëpunim me ndërmarrjen publike e cila është në kaos”, tha Aliu në Debat Pernme të moderuar nga Jeta Xharra.

“Të parën gjë që do ta bëjmë në programin tonë është transparenca, meqë teknika e mundëson. Qytetarët në çdo kohë do ta shohin hyrjen dhe daljen e mjeteve në komunë”, shtoi ai.

Aliu e kritikoi qeverisjen komunale nga BDI.

“Kur e dëgjon BDI-në duke folur për Saraj, të krijohet përshtypja se po flet për ndonjë komunë skandinave”, tha Sefedin Aliu.

“Kemi rrugë që nuk janë prekur që nga koha e Titos”, tha ai duke premtuar se nëse votohet si kryetar i komunës, 30 përqind të buxhetit të komunës do ta alokojë në rregullimin e rrugëve të Sarajit.

Komuna e Sarajit i ka 40 mijë banorë.

Debatet transmetohen në TV ART CHANNEL nga sot deri më 7 tetor.

Në kuadër të këtyre debateve, shikuesit do të njihen me ofertën politike të kandidatëve për komunat Çair, Saraj, Tetovë, Strugë, Gostivar, Dibër dhe Kërçovë.

Qytetarët mund të dërgojnë pyetje për kandidatët përmes platformës online në KALLXO.com, aplikacionit mobil të KALLXO.com si dhe në Facebook të KALLXO.com.

Debatet organizohen në partneritet të KALLXO.com me PortalbVërtetëmatës/VistinomerArt Channel dhe BIRN Maqedonia.