Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i PDK-së për Kaçanikun premton salla të sportit dhe kopshte shkollore 

Kandidati nga PDK-ja, për kryetar të Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi ka thënë se në lidhje me fushën e arsimit do të përmbyllin infrastrukturën shkollore.

Në Debat Pernime ai ka folur edhe për reformën e mundshme në arsim, për shkak të numrit të ulët të nxënësve nëpër disa shkolla të Kaçanikut.

“Është shqetësuese që është numër i ulët i nxënësve sidomos në viset rurale. Në mandatin tim 9 vjeçar deri tani kemi mbyllur 5 shkolla  në harmoni dhe mirëkuptim me qytetarët. Kemi edhe dy shkolla që rrezikohen nga numri i vogël i nxënësve. Ne po shpresojmë që reformat do t’i kemi edhe në harmoni me nivelin qendror sepse e dimë që komuna e Kamenicës është sfiduar edhe nga niveli qendror, po shpresojmë në harmonizim të tillë”, tha ai.

Ilazi tha se për mandatin e ardhshëm kanë paraparë 4 salla të sportit nëpër fshatra.

“Do të përmbyllen të gjitha shkollat që kanë mbi 250 nxënës do të kenë sallë sporti në mandatin 4-vjeçar”, tha ai duke shtuar se do të ndërtojnë edhe kopshte shkollore në tri shkolla.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Kaçanikut, diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Kaçanik: Besim Ilazi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Jeton Raka nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i PDK-së Besim Ilazi ka marrë 44.7% të votave kurse Jeton Raka nga Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 33.4% të votave.