Gostivar, 24.04.2024. Foto: Arjana Berisha

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut, detaje nga Gostivari

Qytetarët në Maqedoni të Veriut u janë drejtuar kutive të votimit më 24.04.2024 për të zgjedhur presidentin e shtetit.

Ekipi i KALLXO.com raporton se deri pak minuta para përfundimit të procesit, në qytetin e Gostivarit nuk është shënuar ndonjë incident.

Në garën për president është edhe kryetari aktual i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Ajshe Osmani, nënkryetare e Komisionit Komunal Zgjedhor, ka thënë se nuk janë shënuar incidente, përveç problemeve të vogla teknike me të cilat u përballën në mëngjes.

“Në qytetin e Gostivarit, procesi i votimit ka shkuar gjithçka në rregull, në mëngjes kishim do probleme të vogla teknike me aparatat e identifikimit biometrik, ato probleme shumë shpejt u tejkaluan dhe deri tash i gjithë procesi është duke u zhvilluar në rregull” – ka thënë ajo për KALLXO.com.

Osmani tha se në komunën e Gostivarit deri në ora 17:00 dalja e qytetarëve është 31.96% apo në numër 25 mijë e 942 qytetarë.

Sipas të dhënave nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor në nivel vendi deri në orën 17:00 kanë votuar 397.612 votues, gjegjësisht 44.18 %.

Në garë është presidenti aktual, Stevo Pendarovski, i cili është propozuar nga koalicioni për “Ardhmëri Evropiane”, që udhëhiqet nga Lidhja Socialdemokrate (LSDM).

Ndërkaq nga opozita maqedonase, nga VMRO DPMNE-ja, kandidate për presidente është Gordana Silanovska Davkova.

Kurse nga partitë shqiptare janë dy kandidatë: Bujar Osmani nga koalicioni i kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe nga opozita shqiptare koalicioni VLEN kandidon me Arben Taravarin, i cili aktualisht është kryetar i Komunës së Gostivarit.

Përveç tyre kandidatë janë edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i Komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i qarkut të Karposhit në Shkup, dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”.