Arben Taravari për Ziadin Selën: Ne kemi qenë shokë

Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, nga lista ‘VLEN’, Arben Taravari, ka folur për kohën sa ka qenë kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, ka demantuar Ziadin Selën, deputet dhe kryetar i partisë Aleanca për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, i cili të shtunën më 24.02.2024 në “Kallxo Përnime” tha se Taravari nuk i kishte pyetur dhe kishte hyrë në Qeveri.

“Këtu e demnatoj edhe pse kemi qenë shokë dhe besoj që edhe pas zgjedhjeve ashtu do të vazhdojë. Dilema kryesore ka qenë me kryesi të partisë, por unë kam qenë kundër me hy në qeveri por kjo s’është me rëndësi se e pas. Komplet kryesia qendrore e Aleancës për Shqipëruarat e votoi hyrjen në Qeveri dhe komplet referendum që votuan përmes votës elektronike. Dmth s’ka pas asnjë votë kundër” – thotë Taravari.

Ai thotë se ka insistuar që si Aleancë për Shqiptarë (sa ishte kryetar i saj), të dilnin vet në zgjedhje.

“Vetëm sa për t’i larguar disa njerëz tonë nga BDI sepse u relaksun, thonin se ne dalim bashkë me njerëz të BDI në zgjedhje. Këtë vendim e kemi marrë bashkë me z. Selën dhe krejt anëtarët e kanë votuar këtë, por nuk është kryesia ajo që vendos” – thotë Taravari.

“Nëse dalim vetëm në zgjedhje, BDI fiton sigurt, opozita shqiptare i merr disa deputetë edhe z.Sela e di këtë’, – thotë Taravari, duke shtuar që kulmi i partisë Aleanca për Shqiptarët ka qenë në vitin 2020.

“Atëherë kemi marr shumë vota, 82 mijë dhe 12 deputet bashkë me Alternativën dhe në zgjedhjet e 2021 unë bashkë me Ziadin Selën kemi bërë disa gabime, që na kushtoi nga 3 komuna ramë në 2 komuna” – tha tutje Taravari.

Taravari ka folur edhe për akuzat e Ziadin Selës i cili ka thënë se përçarja e Aleancës për Shqiptarët është ëndërr e VMRO-në.

Sela në emisionin “Kallxo Përnime”, më 24.02.2024, tha se përfaqësuesi i këtij koalicioni kishte thënë se një pjesë e ASH-së do të shkojë me VMRO-në dhe një pjesë tjetër drejt Europës.

Por Taravari thotë se Sela rrethohet nga njerëz që janë konspiracionistë ‘par-excellence’.

“Ziadin Sela rrethohet prej njerëzve që janë konspiracionistë ‘par-excellence’, bëjnë filma, merren shkencat e psikiatrisë me to” – thotë Taravari.