Foto: Arben Taravari, Facebook

Taravari zbulon bisedat me dy kryeministrat shqiptarë, Ramën e Kurtin

Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, nga lista ‘VLEN’, Arben Taravari, ka thënë se me dy kryeministrat shqiptarë, të Kosovës Albin Kurtin dhe të Shqipërisë, Edi Ramën që u takuan para disa jave, kanë biseduar për aktualitetet në Maqedoni të Veriut.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, ka shtuar se Rama e Kurti janë në të njëjtën vijë, për rrugën europiane.

“E kemi biseduar edhe eventualisht kandidaturën për president, kemi biseduar për rrugën europiane të Maqedonisë. Të dy përkrahen idenë që të bëhet çmos dhe thanë që të inkurajojmë që në qeverinë e ardhshme duhet të jeni vetëm nëse ka ndryshime kushtetuese, s’duhet të lejoni të përçaheni etj.” – tha Taravari.

Ai ka folur edhe për raportin që ka me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku tha se partia e tij ka përkrahur edhe në zgjedhjet e vitit 2020.

“Ata na kanë përkrahur edhe në vitin 2020 në zgjedhje nëse ju kujtohet, kanë qenë goxha aktiv për ta përkrahur koalicionin Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët, por tash nuk e kam pyetur Kurtin a do ta kemi këtë përkrahje. S’kam të drejtç t’i them të më përkrahi nëse ai e konsideron këtë, ai e bën sepse këtu ka autoritet të jashtëzakonshëm”- tha Taravari.

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 08.05.2024, së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Rundi i parë për zgjedhjen e presidentit e vendit do të zhvillohet më 24.04.2024.