Kandidati i PDK-së, Nysret Kelmendi bashkë me kreun e partisë, Kadri Veseli, në fushatë në Obiliq - Foto: Facebook

Kelmendi: Brenda një Mandati Obiliqi do të Bëhet me Ngrohje Qendrore

Kandidati i PDK-së për kryetar të Obiliqit, Nysret Kelmendi, ka thënë se është e pakuptimtë që nga Obiliqi të arrijë ngrohja qendrore në Prishtinë, kurse qytetarët e Obiliqit të mos kenë ngrohje.

“Brenda një mandati do ta përfshijmë gjithë qytetin në sistemin e ngrohjes qendrore”, ka premtuar Kelmendi në një tubim të sotëm zgjedhor.

Kelmendi theksoi se me Ligjin e ri që sipas tij është miratuar me insistimin dhe mbështetjen e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, kjo komunë do të ketë investime kapitale që hapin perspektivë për qytetarët e Obiliqit, veçanërisht për rininë.

Ndërsa, kreu i PDK-së, Kadri Veseli tha se është zotimi i tij dhe i kandidatit për kryetar se nuk mund të vazhdohet edhe më tutje që Obiliqi të jetë zonë vitale industriale e Kosovës, kurse qytetarët e tij të jenë të papunë.

Veseli ka thënë se qytetarët e Obiliqit do të kenë përparësi punësimi në KEK dhe në projektet e reja energjetike që do të ndërtohen në këtë zonë.