Foto: Dega e PDK-së në Obiliq/Facebook

Dyshime për parregullsi: Njeriu i PDK-së së Kadri Veselit emërohet zv.drejtor në KEK

Nysret Kelmendi, ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Obiliqit, është zgjedhur zëvendësdrejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Zgjedhja e tij në këtë pozitë nga ana e Bordit të KEK-ut është bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike në bazë të interpretimit për këtë ligj që e ka dhënë Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Bordi i KEK-ut nuk ka kthyer asnjë përgjigje në pyetjet e Gazeta Jeta në Kosovë, përkundër që BIRN e ka monitoruar këtë proces të rekrutimit. Menjëherë pas përfundimit të procesit të intervistimit, BIRN i ka dërguar një shkresë Bordit të KEK-ut përmes së cilës i ka njoftuar se zgjedhja e Kelmendit në pozitën e zv.drejtorit është në kundërshtim me interpretimin që ka dhënë Zyra e Kryeministrit dhe MZHE-ja.

Konfirmimin e vendimit të Bordit të KEK-ut për zgjedhjen e zëvendësdrejtorit e ka bërë Kelmendi. Ai ka thënë se nga data 2 maj ka filluar punën si zëvendës i Njazi Thaçit, kushëririt të presidentit Hashim Thaçi, i cili e mban pozitën e drejtorit menaxhues në KEK.

“Po, kam fillu prej datës 2 maj”, ka deklaruar Nystret Kelmendi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Nysret Kelmendi ka qenë nënkryetar i Komunës së Obiliqit në mandatin e kaluar, pasi PDK-ja ka bashkëqeverisur me kryetarin Xhafer Gashi. Po ashtu, në zgjedhjet e fundit lokale të zhvilluara në Kosovë në tetor të vitit 2017, Kelmendi ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Obiliqit nga radhët e PDK-së.

Zgjedhja e Nysret Kelmendit në postin e zv.drejtorit të KEK-ut është në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, përkatësisht neni 21 dhe nenin 17.

 

Pozita e zv.drejtorit të një ndërmarrje publike, me Ligjin për ndërmarrjet publike konsiderohet zyrtar i lartë i ndërmarrjes. E Ligji kërkon që zyrtarët e lartë të ndërmarrjes duhet të jenë të pavarur, njëjtë sikur anëtarët e bordit të KEK-ut.

Zgjedhja e Kelmendit në pozitën e zv.drejtorit të KEK-ut është në kundërshtim me interpretimin e ligjit të Ndërmarrjeve Publike që e ka dhënë Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit ekonomik për rastin e kandidimit të Blerand Stavilecit për drejtor menaxhues të KEK-ut. Duke u thirrurr në këtë interpretim, Bordi i KEK-ut e kishte eliminuar nga gara Blerand Stavilecin, ish-ministrin e Zhvillimit Ekonomik dhe këshilltarin e kryetarit të Kuvendit.

Zgjedhja e ish-kandidatit të PDK-së për kryetar të Obiliqit përbën shkelje të praktikës të vendosur pikërisht nga Bordi i KEK-ut që zyrtarët e lartë të Ndërmarrjeve Publike duhet të jenë të pavarur, ashtu siç përcaktohet në Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Nysret Kelmendi ka theksuar se ka pasur një të kaluar politike, por që kur ka humbur zgjedhjet për kryetar të Komunës së Obiliqit në fund të vitit 2017, ai është tërhequr nga jeta politike. Po ashtu ka thënë se nuk është më pjesë e PDK-së.

Për të arsyetuar zgjedhjen e tij Kelmendi ka bërë një numrim të gabuar të kohës prej se është tërheq nga politika e deri në zgjedhën e tij në krye të KEK-ut.

“Unë kam pas [një të kaluar politike] po e kam pas në vitin 2017, por qe tri vite nuk jam më në asnjë parti politike. Pra prej 2017 nuk jam më politik, nuk kam qenë në ndonjë post politik që me qenë në ndonjë konflikt interesi me pozitën që kam konkurru. Jam largu [prej PDK-së], qe tri vite nuk marr pjesë në asnjë aktivitet politik për shkak se nuk i kam fitu zgjedhjet si kandidat edhe jam tërheqë, më nuk kam marrë pjesë”, është shprehur Kelmendi për Gazetën JnK.

Zgjedhjet lokale janë zhvilluar në tetor të vitit 2017, Kelmendi ka filluar punën si zëvendësdrejtor i KEK-ut më 2 maj 2019. Sipas kësaj, nga dita e zgjedhjeve ku Kelmendi ishte kandidatë e deri në ditën e zgjedhjes së tij si kryeshef kanë kaluar 18 muaj e një javë. Përvec kësaj, nuk kanë kaluar 36 muaj që kur ai ka qenë nënkryetar i Komunës së Obiliqit.

Kandidatët e përzgjedhur e nënshkruajnë deklaratën për të dëshmuar se kandidatura e tyre është në përputhje me ligjin. Por, Kelmendi thotë se Bordi i KEK-ut nuk i ka kërkuar që të nënshkruaj deklaratën nën betim që është i pavaruru sic kërkon Ligji për Ndërmarrjet Publike, përkundër që ata kanë qenë të informuar se zyrtarët e lartë të ndërmarrjes duhet të jenë të pavarur.

“Jo, hala nuk e kam nënshkruar deklaratën nën betim”, është shprehur Kelmendi për Gazetën JnK.

Gazeta JnK e ka pyetur Kelmendin nëse në CV-në e dorëzuar në KEK, kur ka aplikuar për pozitën e zv.drejtorit, e ka shkruar se ka qenë nënkryetar i Komunës së Obiliqit. Por ai ka thënë se CV-ja nuk i është kërkuar, kështu që nuk e ka dorëzuar.

“Nuk më është kërku CV-ja fare me dorëzu”, ka deklaruar Kelmendi.

Interpretimi për rastin e Blerand Stavilecit

Me rastin e kandidimit të Blerand Stavileci për drejtor menaxhues të KEK-ut ka qenë dilema nëse edhe zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike duhet t’i plotësojnë kriteret e pavarësisë, njëjtë sikur anëtarët e bordit të KEK-ut.

Bordi i KEK-ut kishte kërkuar një interpretim të Ligjit për Ndërmarrjet Publike nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, duke e pezulluar në atë kohë konkursin për kryeshef.

Interpretimi që kishte ardhur nga ZKM-ja e kishte lënë jashtë gare Blernad Stavilecin, ndërsa më vonë kryeshef ishte zgjedhur Njazi Thaçi.

Në opinion ligjor të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik është theksuar se në nenin 21 të Ligjit për Ndërmarrjet publike thuhet që me zgjedhjen dhe emërimin e zyrtarëve të lartë të Ndërmarrjes Publike, personi që është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike, nuk mund të zgjidhet Kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike.

“Në Ligjin për Ndërmarrjet Publike definohet qartë se një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse ‘është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike’”, potencohet në opinionin ligjor.

Sipas këtij opinioni, përkufizimi i termit “i emëruar politik” nënkupton personin i cili është emëruar ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur.

Gazeta JnK ka insistuar për të marrë përgjigje nga kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut dhe përmes Zyrës për Media në KEK, se pse nuk është respektuar interpretimi ligjor i lëshuar nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, por nuk ka marrë përgjigje që nga data 19 prill.

Çka thotë Ligji?

Neni 21 i Ligjit për Ndërmarrjet Publike i ka përcaktuar kushtet që duhet të plotësojë një zyrtarë i lartë i një ndërmarrje publike.

Neni 21, pika 3 thotë se secila ndërmarrje publike do të ketë katër zyrtarë të lartë: (i) Kryeshefin Ekzekutiv, (ii) Zyrtarin Kryesor Financiar dhe të Thesarit, (iii) Këshilltarin e Përgjithshëm/Sekretarit e Korporativ dhe (iv) një Zyrtar për Auditim të Brendshëm. Në të njëjtën pikë është dhënë mundësi ndërmarrjeve të mëdha që të kenë edhe zyrtarë shtesë që zgjidhen nga bordi.

“Nëse është e nevojshme për shkak të madhësisë dhe/ose llojllojshmërisë së veprimtarive, NP mundet – nëse vendoset nga Bordi i Drejtorëve dhe përcaktohet në Rregullore – që po ashtu të ketë një ose dy poste të Zëvendës Kryetarit”, thuhet në pjesën e dytë të pikës 3 të nenit 21.

Pra, në bazë të këtij interpretimi edhe zv.drejtorët që zgjidhen nga bordi duhet të jenë të pavarur dhe rrjedhimisht nuk duhet që në 36 muajt e fundit të kenë lidhje me politikën.

“Bordi i Drejtorëve duhet të sigurojë që të gjithë personat e emëruar si zyrtarë të jenë person me integritet të njohur të cilët (i) i plotësojë kushtet e kualifikimit sipas Nenit 17.1, (ii) i plotësojnë kriteret e pavarësisë sipas nenit 17.2, pikat (d), (f), (j), (k) dhe (l)”, thuhet në paragrafin e 4 të nenit 21 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Problemet me hartimin e pyetjeve

BIRN nuk ka qenë pjesë e takimit në të cilën është vendosur për kandidatët që i plotësojnë kriteret për tu thirrur në intervistë, përkundër që me kohë kishte dorëzuar kërkesën për monitorim tek Bordi i KEK-ut.

Vendosja për eliminimin e kandidatëve nga gara ishte bërë në takimin që BIRN-i nuk kishte marrë pjesë. Në ditën e intervistimit, BIRN-it i janë ofruar informacione të pakta për arsyet e eliminimit të kandidatëve tjerë nga gara.

BIRN po ashtu nuk ka qenë pjesë e takimit në të cilin janë hartuar pyetjet për kandidatët për zv.drejtor të KEK-ut. BIRN nuk ka informata se kur janë hartuar pyetjet: pra nëse janë hartuar në ditën e intervistimit apo më herët. Në bazë të praktikës së aplikuar nga BDO-ja, kompania britanike, pyetjet hartohen në ditën e intervistave. Edhe bordi i KEK-ut e edhe kryeshefi i KEK-ut janë zgjedhur në bazë të praktikës dhe asistencës së BDO-së.

Përkundër që pyetjet ishin caktuar të njëjta për të gjithë kandidatët, anëtarët e panelit në disa raste kanë parashtruar pyetje shtesë për një kandidatë, në kundërshtim me praktikën e partnerit implementues të projektit të rekrutimit të Ambasadës Britanike.

Ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Obiliqit ka marrë pikë të plotë në një përgjigje. Një praktikë e tillë nuk është hasur deri më tani në konkurset që janë zhvilluar me asistencë të BDO-së.

Procesi i përzgjedhjes së zv.drejtorit të KEK-ut

Në konkursin për zv.drejtor të KEK-ut kanë aplikuar 8 kandidatë. Prej tyre 5 janë eliminuar dhe 3 janë ftuar për intervistë. Tre kandidatët që janë ftuar për intervistë janë: Ali Curri, Nysret Kelmendi dhe Enver Gashi.

Kandidati Enver Gashi në ditën e intervistimit, më 5 prill, në orën 8:42 kishte dërguar email në të cilën ka treguar që është tërhequr nga konkursi. Intervistat ishin paraparë të zgjasnin nga 45 minuta dhe të zhvilloheshin më 5 prill.

Komisioni vlerësues ishte paraparë të kishte në përbërje Bordin e KEK-ut dhe drejtorin menaxhues. Por në këtë Komision mungonin Izet Ibrahimi dhe Gjelosh Vataj. Kështu që Komisioni vlerësues i cili intervistoi dy kandidatët në garë për pozitën zëvendësdrejtor i KEK-ut përbëhej nga 4 anëtarë, Faruk Hajrizi – Kryesues i Bordit të KEK-ut, Mehdi Pllashniku – Anëtar i Bordit të KEK-ut, Njazi Thaçi – Drejtor menaxhues në KEK dhe Fllanza Hoxha – Beqiri – Anëtare e Bordit të KEK-ut.

 

45 pikë ishte maksimumi i pikëve të cilat mund t’i grumbullonte një kandidat. Kandidati i parë, Ali Curri ka grumbulluar 85 pikë, kur këto pjesëtohen me numrin katër, sa anëtarë ka pasur Komisioni vlerësues, del se Curri ka grumbulluar gjithsej 21.25 pikë.

Kandidati i dytë, Nysret Kelmendi ka grumbulluar 141 pikë, kur këto pikë pjesëtohen me numrin katër, sa anëtarë ka pasur Komisioni vlerësues, del se Kelmendi ka grumbulluar 35.25 pikë.

Vlerësimi te kandidati Nysret Kelmendi varion nga 31 pikë deri te 40 pikë, pra kishte një dallim prej 9 pikësh në mes të dy anëtarëve të komisionit për Kelmendin.

Edhe te kandidati Ali Curri vlerësimi varion nga 18 pikë deri te 27 pikë, pra kishte një dallim prej 9 pikësh në mes të dy anëtarëve të komisionit vlerësues.

Pesë kandidatët që janë eliminuar, sipas emaileve të dërguara nga KEK, janë eliminuar për shkak se disave prej tyre u ka munguar aplikacioni, disa nuk e kanë pasur përvojën e duhur menaxheriale, të tjerë nuk e kanë pasur të përfunduar fakultetin teknik dhe disave u ka munguar certifikata që nuk janë nën hetime.