Kujtim Gashi (PDK) dhe Qëndron Kastrati (VV) gjatë Debat Pernime për Kamenicën. Foto: Kallxo.com

Jakupi: Qëndroni Hala pa Ardhë Kryetar e Ka Shkelë Ligjin

Kandidatët për kryetar të Kamenicës në Debat Pernime e kanë akuzuar kandidatin e VV-së për kryetar të Kamenicës se nuk ka jetuar asnjëherë në Kamenicë kështu që është “duke e shkelur ligjin” për zgjedhjet lokale.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Kamenicës, Kujtim Gashi ka thënë se Qëndron Kastrati nuk i njeh problemet e qytetarëve të Kamenicës as për së afërmi për shkak se ai nuk ka jetuar aty.

“Sipas ligjit për zgjedhje lokale parashihet që çdo qytetar që mund të konkurroj për kryetar komune duhet të jetë banor të paktën tri vjet në komunën ku konkurron dhe Qëndroni ka bo shkelje ligjore”, ka potencuar Gashi.

Kurse Faton Jakupi nga AAK e ka cituar ligjin për zgjedhjet lokale duke thënë se Qëndroni ende pa u bërë kryetar e ka shkelur ligjin.

“Neni 9 thotë, kandidati për kryetar thotë duhet të ketë tri vite vendqëndrim, vendbanim në Kamenicë, gjë që Qëndroni nuk e ka. Thirret në moral politik e zbatim të ligjit e ky hala pa ardhë kryetar e ka shkelë ligjin” ka shpjeguar Jakupi.

Kurse kandidati i VV-së, Qëndron Kastrati u është përgjigjur akuzave duke thënë se këta nuk dinë as ta lexojnë ligjin.

“Ligji nuk thotë tre vitet e fundit, janë organet, është zyra në kuadër të KQZ-së që përkujdeset për certifikimin e kandidatëve” ka thënë Kastrati.