Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Gjykata vendos për të dyshuarin i cili goditi me thikë një burrë pasi e refuzoi substancën narkotike dhe marrëdhënien seksuale

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur caktimin e masës së paraburgimit për një muaji kundër të pandehurit A.N të dyshuar për vrasje në tentativë.

Sipas njoftimit të Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se A.N, e kishte ftuar viktimën në banesën e tij në Fushë Kosovë dhe nga i njëjti kishte kërkuar që të konsumoj substanca narkotike dhe të ketë marrëdhënie seksuale dhe pasi viktima kishte refuzuar, i pandehuri e kishte sulmuar me thikë në kokë duke i shkaktuar plagë shpuese dhe prerëse.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

KALLXO.com ka raportuar më 06.05.2024 se një person u arrestua në Fushë Kosovë pasi që dyshohet për veprën “vrasje e rëndë në tentativë”.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se  më 05.05.2024 i dyshuari nën ndikimin e substancave narkotike, joshi viktimën që të konsumoj edhe ai substancë narkotike. Viktima pasi që refuzoi, sipas policisë, u josh nga i dyshuari të kryej marrëdhënie seksuale kundër dëshirës së tij.

Pas refuzimit të dytë të viktimës, i dyshuari e ka goditur me thikë kuzhine në kokë dhe i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktima u dërgua në QKUK për trajtim mjekësor kurse i dyshuari u dërgua në mbajtje.