Automjeti i konfiskuar nga Policia në Kamenicë, më 02.05.2024, Foto: Policia e Kosovës/Facebook

Kamenicë, e kishte të ndaluar të voziste deri më 2026, shoferi gjobitet me 500 euro, 6 pikë negative dhe i konfiskohet automjeti

Policia në Kamenicë ka ndaluar një automjet me targa vendore dhe gjatë kontrollit ka vërtetuar se vozitësi e drejtonte atë edhe pse kishte ndalesë të drejtimit të mjetit si masë mbrojtëse deri në vitin 2026.

Në vendimin për kundërvajtje të shqiptuar ndaj shoferit shihet se Policia e ka regjistruar kundërvajtjen më 02.05.2024, rreth orës 21:55 dhe se ka ndodhur në fshatin Hodonoc.

Po ashtu, në vendim shkruan koha brenda së cilës i dyshuari e ka patentën e konfiskuar.

“I lartcekuri drejton veturën me patentë të konfiskuar prej datës 03.04.2024 deri më 21.04.2026, verifikuar përmes sistemit bazik” – thuhet në vendimin për kundërvajtje të shqiptuar ndaj shoferit.

Sipas njoftimit të Policisë, duke u bazuar në Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor ndaj të dyshuarit është shqiptuar gjoba në vlerë 500 euro dhe i është vazhduar masa mbrojtëse edhe për pesë muaj.

Të dyshuarit po ashtu i është konfiskuar automjeti, ka njoftuar Policia.

“Të njëjtit sipas nenit 246 konform ligjit për rregullat në trafikun rrugor 08/L-186 paragrafi 5 i  është shqiptuar gjoba në vlerë prej 500 euro, 6 pikë negative dhe masën e përkohshme të ndalim vozitjes së mjetit motorike edhe për pesë muaj  si dhe i është konfiskuar automjeti” – thuhet në njoftimin e Policisë më 03.05.2024. 

Sipas Ligjit të ri për rregullat e trafikut rrugor, në nenin 246, ku flitet për “masa mbrojtëse për pantentë shoferi’, në paragrafin dy thuhet: “Shoferit të cilit i është marrë patenta e shoferit ose që është larguar nga trafiku rrugor sipas këtij ligji, ose ndaj të cilit është shqiptuar masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik, nuk i lejohet gjatë asaj kohe ta drejtojë mjetin në trafikun rrugor”.

Ndërkaq, në paragrafin pesë të nenit 246, përcaktohet dënimi të cilin Policia e ka shqiptuar ndaj vozitësit.

“Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej pesëqind euro, masa mbrojtëse ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik prej gjashtë muaj, si dhe pesë pikë negative, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 2. të këtij neni” – thuhet në paragrafin 5, neni 246, në Ligjin e ri për rregullat e trafikut rrugor.

Në anën tjetër, konfiskimi i veturës përderisa vozitësi e ka drejtuar në kushte pa patentë shofer rregullohet përmes paragrafit gjashtë të nenit 246 të këtij Ligji.

“Nëse shoferi, ndaj të cilit është shqiptuar masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik, e drejton mjetin në trafikun rrugor gjatë periudhës së masës mbrojtëse, do t’i konfiskohet përkohësisht mjeti të cilin është hasur duke e drejtuar, deri sa ndaj të njëjtit është aktive masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik” – thuhet në paragrafin 6, neni 246, të Ligjit.

Si përfundim, Policia u bën thirrje vozitësve që t’i respektojnë rregullat e parapara me ligj.

Nga data 03.04.2024 ka hyrë në fuqi Ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor, me anë të të cilit janë ashpërsuar gjobat për shkelësit e rregullave në komunikacion.

Ky Ligj është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 22.02.2024 dhe është dekretuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 11.03.2024, duke e shfuqizuar Ligjin e vjetër për rregullat e trafikut rrugor, i cili ka qenë në zbatim që nga gushti i vitit 2016.