Vrasja e të riut nga Kukësi, aktakuzë ndaj Dibran Hoxhës dhe katër të tjerëve

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër Dibran Hoxhës, i njohur me pseudonimin “Kobra”, lidhur me rastin e vrasjes që kishte ndodhur në një lokal të Prizrenit më 03.01.2023, në të cilën mbeti i vdekur një i ri nga Kukësi.

Të martën më datë 20.02.2024 Prokuroria Speciale për këtë rast ka njoftuar se është ngritur aktakuzë kundër pesë personave për veprat penale të vrasjes së rëndë, armëmbajtje pa leje, manipulim me prova dhe pjesëmarrjes në rrahje.

“Prokuroria Speciale (PS), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër pesë (5) të pandehurve me inicialet D. H., R. S., A. V., B. M. dhe J. B.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Kështu, Dibran Hoxha po akuzohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Roland Susuri dhe Burim Mazreku po akuzohen se në bashkëkryerje kanë manipuluar me prova.

Tutje, Arben Vezaj, Jesmir Badalli dhe Roland Susuri akuzohen për pjesëmarrje në rrahje.

Kurse Roland Susuri dhe Jesmir Badalli gjithashtu po akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Prishtinës me 03.11.2023 i ka vazhduar masën e paraburgimit Dibran Hoxhës, i cili në paraburgim gjendet për më shumë se një vit – nga janari i vitit 2023.

Të dyshuar në këtë rast janë edhe Enver Amerllahu dhe Kujtim Gashi.

Në orët e para të 3 janarit 2023, në lokalin “Kobra City” kishte ndodhur një gjuajtje me armë dhe kishte mbetur i vdekur një 31 vjecar.

Në fillim të shkurtit të vitit 2023, si kompetente për hetimin e këtij rasti u caktua Prokuroria Speciale. Si rrjedhojë rasti tashmë ka kaluar në trajtim në Gjykatën e Prishtinës.

Susuri, që punonte kamarier në lokal, po dyshohet se ka fshehur provat duke zhdukur pamjet nga kamerat e sigurisë ditën që ka ndodhur vrasja.

Ai po ashtu dyshohet se ka fshehur edhe armën dhe telefonin e të dyshuarit kryesor për këtë vrasje, Dibran Hoxhës.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë ndaj të dyshuarit Dibran Hoxha për vrasjen e rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 3 janarit 2023.

Në dosje të Prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se Hoxha ka shtënë në drejtim të veturës, e cila ndodhej në parkingun e lokalit të tij “Kobra City”.

Policia ka realizuar një mori bastisjesh në Prizren dhe gjatë bastisjeve në lokalin e ‘Kobrës’ ka gjetur një mori sendesh ilegale.

Një regjistrues i pamjeve të kamerave (DVR) është zbuluar gjatë operacionit të bastisjeve të ndërmarrë në lidhje me rastin e vrasjes në lokalin e natës “Kobra City” në Prizren.

Mes gjësendeve të konfiskuara janë edhe një granatë dore dhe disa fishekë të njërit prej të dyshuarve.

Ndërkaq, burime brenda grupit hetimor kanë thënë për KALLXO.com se në shtëpinë e Dibran Hoxhës është zbuluar një kasafortë e fshehur prapa kaminës së tij.

Informata të tjera me rëndësi lidhur me këtë rast mund t’i ndiqni duke klikuar këtu- LINK