Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani Foto: Denis Sllovinja /KALLXO.com

Osmani i uron fitoren zgjedhore presidentes së Maqedonisë së Veriut

Pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni të Veriut, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka uruar fitoren homologes së saj, Gordana Siljanovska Davkovës nga partia politike – VMRO-DPMNE.

Presidentja Osmani po ashtu ka shprehur entuziazmin e saj për të punuar me presidenten Siljanovska Davkova.

“Urime për Gordana Siljanovska Davkova për fitoren e saj zgjedhore në Maqedoni të Veriut dhe për t’u bërë presidentja e parë grua e vendit. Kosova dhe Maqedonia e Veriut gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyeshme fqinjësore dhe ndajnë një angazhim të fortë drejt integrimit Euro-Atlantik. Mezi pres të punojmë me Presidentën e zgjedhur për të arritur këtë qëllim të përbashkët dhe për të thelluar më tej marrëdhëniet Kosovë-Maqedoni e Veriut” – ka shkruar Osmani, në platformën X.

Në Maqedoni të Veriut më 08.05.2024, janë mbajtur zgjedhje të dyfishta – rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, dhe zgjedhjet parlamentare.

Në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale janë përballur kandidatja Siljanovska Davkova dhe presidenti i cili ishte në këtë pozitë deri pas përfundimit të zgjedhjeve, i mbështetur nga LSDM-ja në pushtet, Stevo Pendarovski.

Pas numërimit të 99,82 për qind të fletëvotimeve, Siljanovska Davkova fitoi 560.170 vota (65,14%) ndërsa kundërkandidati i saj Stevo Pendarovski nga LSDM 251.541 (29,25%). Siljanovska Davkova është gruaja e parë presidente në vend. Në deklaratën e dhënë në konferencën e mbrëmshme për shtyp në Shtabin qendror zgjedhor të VMRO-DPMNE-së, ajo premtoi se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve.