Gordana Silanovska-Davkova/Foto: Facebook official account
Presidentja e Maqedonisë së Veriut falënderon Vjosa Osmanin për urimin: Jam e lumtur që gratë po bëjnë histori politike
Presidentja e zgjedhur e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka falënderuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për urimin që i bëri lidhur me emërimin e saj si gruaja e parë presidente në këtë shtet.
Ajo përmes rrjetit X u shpreh se është e lumtur për faktin që gratë në këtë rajon po bëjnë histori politike.
Siljanovska-Davkova tutje potencoi se uron të vazhdojnë bashkëpunimin për integrimin europian të gjithë rajonit.
“E nderuar Vjosa më gëzoi urimi juaj i sinqertë. Jam e lumtur për faktin që gratë në rajonin tonë po bëjnë histori politike, duke qëndruar guximshëm në pozita kyçe. Uroj të vazhdojmë bashkëpunimin tonë edhe në të ardhmen, për të arritur përfundimisht objektivin kryesor strategjik, integrimin evropian në të gjithë rajonit, si dhe për të forcuar marrëdhëniet tona përmes një sinergjie “femërore” – ka shkruar mes tjerash në “Facebook” më 09.05.2024.
E nderuar Vjosa (@VjosaOsmaniPRKS), më gëzoi urimi Juaj i sinqertë. Jam e lumtur për faktin që gratë në rajonin tonë po bëjnë histori politike, duke qëndruar guximshëm në pozita kyçe. Uroj të vazhdojmë bashkëpunimin tonë edhe në të ardhmen, …
(1/2)
— Гордана Силјановска Давкова (@gogamkd) May 9, 2024
Pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni të Veriut, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka uruar fitoren homologes së saj, Gordana Siljanovska Davkovës nga partia politike – VMRO-DPMNE.
Presidentja Osmani po ashtu ka shprehur entuziazmin e saj për të punuar me presidenten Siljanovska Davkova.
Në Maqedoni të Veriut më 08.05.2024, janë mbajtur zgjedhje të dyfishta – rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, dhe zgjedhjet parlamentare.
Në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale janë përballur kandidatja Siljanovska Davkova dhe presidenti i cili ishte në këtë pozitë deri pas përfundimit të zgjedhjeve, i mbështetur nga LSDM-ja në pushtet, Stevo Pendarovski.
Pas numërimit të 99,82 për qind të fletëvotimeve, Siljanovska Davkova fitoi 560.170 vota (65,14%) ndërsa kundërkandidati i saj Stevo Pendarovski nga LSDM 251.541 (29,25%). Siljanovska Davkova është gruaja e parë presidente në vend. Në deklaratën e dhënë në konferencën e mbrëmshme për shtyp në Shtabin qendror zgjedhor të VMRO-DPMNE-së, ajo premtoi se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve.
Osmani i uron fitoren zgjedhore presidentes së Maqedonisë së Veriut