Kosova inauguron Konsullatën e Përgjithshme në Poloni

Me anë të një ceremonie, Kosova ka inauguruar Konsullatën e Përgjithshme në Poloni e udhëhequr nga ambasadori, Drilon Gashi, hap të cilin ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJD), Donika Gërvalla e ka konsideruar si dëshmi të fuqizimit të marrëdhënieve bilaterale.

“Polonia si një shtet mik, ka një potencial të madh të bashkëpunimit ekonomik në eksport dhe import, shkëmbim të studentëve, ekspertëve, përvojave në proceset integruese dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”- është shprehur ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Sipas komunikatës, Gërvalla vuri në pah rolin e madh të dy figurave të rëndësishme polake, ish-kryeministrit Mazowietzky dhe Papa Gjon Palit II për përkrahjen e tyre në ditët e vështira të okupimit serb.

MPJD potencoi se hapja e kësaj konsullate u bë me pjesëmarrje edhe të Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci,  nënsekretares së Shtetit të ministrisë së Jashtme të Polonisë, ministres Moscicki-Dendys si dhe Anëtarëve të Kuvendit (Sejmit) të Polonisë, ambasadorëve të akredituar në Poloni, përfshirë Nuncin Apostolik (Vatikani) shteteve të Kuintit dhe shteteve tjera nga Evropa dhe rajoni.

Nga ana tjetër, nënsekretarja e Shtetit të Ministrisë së Jashtme të Polonisë, ministrja Moscicki-Dendys përgëzoi Republikën e Kosovës për ceremoninë dhe shprehu vullnetin dhe përkushtimin e Polonisë për të intensifikuar marrëdhëniet bilaterale në fushat me interes të përbashkët.

Tutje, sipas njoftimit të MPJD-së, ajo tha se krijimi i Misionit të Kosovës paraqet një gurthemel të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve midis Polonisë dhe Kosovës.

“Ministrja polake vlerësoi lart ndihmën e Kosovës për Ukrainën dhe orientimin e saj të qartë perëndimor, duke ofruar mbështetjen polake në shumë fusha e sidomos në shtimin e lidhjeve ekonomike, kulturore dhe ndihmën në anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës dhe integrimin në BE” – thuhet në komunikatë.

Në ceremoni morën pjesë edhe profesionistë, profesorë, gazetarë, udhëheqës dhe anëtarë të komunitetit shqiptaro-polak dhe të Kosovës në Poloni.

Ministria e Punëve të Jashtme e Polonisë më 8 nëntor 2022 kishte njoftuar se Qeveria e Polonisë ka lidhur marrëveshje me Qeverinë e Kosovës për vendosjen e marrëdhënieve konsullore.

Vendosen marrëdhënie konsullore ndërmjet Polonisë dhe Kosovës