Lirak Çelaj prezanton platformën qeverisëse - Foto: Facebook/dhuratahaxha

Çelaj Parasheh Taksë për Veturat që Hynë në Qendër të Qytetit

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Lirak Çelaj, ka prezantuar në pika të shkurtra 8 pikat qenësore të platformës së tij për qeverisjen e kryeqytetit.

Pika e parë e programit të tij ishte “Prishtina Shpejt”, që përfshin trafik funksional, parkingje nëntokësore, si dhe parashihet një taksë për të hyrë në qendër të qytetit.

Kjo taksë, sipas Çelajt, parashihet të vihet me qëllim të pengimit të hyrjes së makinave në qendër të qytetit dhe shkaktimin e kaosit në trafik.

“Prishtina Sigurt” është kapitull që i dedikohet sigurisë në kryeqytet, theksoi Lirak Çelaj, i cili premtoi se do t’i vendosë kamerat e sigurisë, do t’i bëjë me ndriçim hyrjet e banesave dhe rrugëve, si dhe do të ketë patrulla mobile të punëtorëve socialë.

“Prishtina Ngrohtë”, sipas tij, është kapitull i veçantë që parasheh përdorimin e energjisë efiçiente, si dhe implementimin e projektit për ngrohje me njehsor, duke mos u bërë pagesa për sipërfaqet që nuk ngrohen, me çka parashihet të bëhet ulje e faturës së energjisë deri 40%.

Me këtë projekt, sipas Çelajt, parashihet të bëhet zgjerimi i ngrohjes së qytetit dhe hapjen e ngrohtoreve për lagjet e caktuara, ku po ashtu parashihet kostoja e ngrohjes të pëson ulje deri 40%, duke ruajtur ambientin dhe duke penguar ndotjen nga ngrohja me qymyr apo me dru.

“Prishtina 24 orë”, sipas kandidatit të PDK-së, parasheh të ndërtohen parqe për fëmijë dhe për çdo lagje nga një fushë rekreative- sportive, si dhe një kapitull i veçantë do të jetë që të fuqizohet industria e clubbing-ut, dhe tradita e kalimit të kohës së lirë në hapësira të planifikuara për këtë.

Çelaj theksoi se përpos pishinës në Gërmi, do ta aktivizojë edhe patinazhin, zonën e Gollakut për moto cross e fusha tjera për sportet që aktualisht i mungojnë kryeqytetit.

Po ashtu, Lirak Çelaj tha se platforma e tij parashikon t’i kushtohet kujdes ruajtjes dhe konservimit të qytetit të vjetër të Prishtinës, teatrit të qytetit dhe Prishtina të bëhet qytet i festivaleve.

Pastaj, pikë e rëndësishme e platformës zgjedhore është parandalimi i dukurive negative, për rininë, për familjet si dhe kujdesin për pleqtë.