Arban Abrashi në Keqekollë - Foto: LDK

Abrashi: Do ta Subvencionojmë Transportin e Rregullt për Fshatrat e Gollakut

Gjatë një takimi me banorët e fshatit Keqekollë, kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka prezantuar projektin e tij për investime në Zonën Turistike të Gollakut dhe subvencionimin e bujqësisë.

Abrashi e ka quajtur të papranueshme faktin se si nga viti 2013 në zonën e Gollakut nuk është investuar asgjë nga Komuna.

“Madje, çka është edhe më e keqe, bujqve dhe blegtorëve të zonës ju kanë ndërprerë subvencionet”, citohet të ketë thënë ai sipas një komunikate të LDK-së.

“Ne do ta bëjmë edhe subvencionimin e transportit të rregullt për fshatrat e Gollakut. Do ta bëjnë edhe subvencionimin e bujqësisë dhe përmes analizave të tokës do të shohin se cilat kultura do t’i subvencionojmë në këtë zonë”, ka thënë ai.

“Banorët e Prishtinës detyrohen që për një vikend të shkojnë në Prizren ose më larg, në mungesë të një oferte më afër. Ne kemi hartuar projektin që fshatrat përreth t’i shndërrojmë në destinacion turistik të banorëve të Prishtinës. Me krijimin e kushteve nga komuna, hapen mundësitë për ndërtimin e restoranteve dhe hoteleve të vogla në këtë zonë”, ka thënë Abrashi, i cili me këtë rast ka shpalosur tri projekte prioritare.