Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abrashi: Kuvendi zgjedhor për kryetarin e ri të LDK-së do të mbahet më 14 mars

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, tha se në mbledhjen e sotme të Kryesisë së LDK-së është vendosur që kuvendi zgjedhor për kryetarin e ri të mbahet më 14 mars.

Ai pas mbledhjes së Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës para gazetarëve tha se sot nuk është diskutuar për emra të kanidatëve por vetëm për mbarëvajtjen dhe punët teknike të këtij procesi.

“Sot kemi mbajtur mbledhje rrëth përgatitjeve të Kuvendit zgjedhor për kryetarin e ri të LDK-së, do të jetë data 14 mars kur parashihet të mbahet Kuvendi zgjedhor për kryetarin e ri të LDK-së, gjithashtu është diskutuar edhe për trupat tjera që e përcjellin mbarëvajtjen e këtij kuvendi. Mbledhja ka qenë e natyrës teknike, nuk është diskutuar për emra, pra fillimisht jemi në përgatitje teknike”, ka thënë Abrashi.

Abrashi lidhur me polemikat për dorëheqjet në LDK tha se janë të parevokueshme dhe se do mbesin në këto funksione deri të zgjidhet Kryesia e re.

“Lidhur me të qenët e Kryesisë në dorëheqje, e di që ka pasur shumë polemika, z. Mustafa e ka ofruar dorëheqjen dhe normal që është pranuar, kurse Kryesia është teknikisht në dorëheqje por këshilli e ka caktuar këtë Kryesi dhe deri në kuvend të ardhshëm ne mbesim në këto funksione, deri kur të zgjidhet Kryesia e re”, ka thënë tutje Abrashi.