Në ditën e fundit të Abrashit si ministër, Ministria kërkoi zhbllokimin e tenderit milionësh të mirëmbajtjes

Tenderi i mirëmbajtës së rrugëve të Kosovës, të cilin ministri Liburn Aliu e anuloi javën e kaluar, kishte shkuar në gjykatën e tenderëve, OShP.

Kundrejt këtij tenderi, u pretendua për kritere diskriminuese e favorizime. OShP menjëherë vendosi ta pezullonte tenderin.

Në ditën e fundit të Arban Abrashit  si ministër, Ministria e infrastrukturës kërkoi zhbllokimin e tenderit me pretendimin se ankesa ishte e pa bazuar dhe arsyeve të tjera, në mes tjerash përmendet edhe rreziku që rrugët të mbeten pa mirëmbajte për shkak të skadimit të kontratave, mirëpo OShP nuk ishte bindur.

Për tenderin “Mirëmbajta verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitin 2021-2024”, me numër të prokurimit MI-21-001-211, operatori ekonomik “Jos & Krasniqi”, ishte ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, më datën 19 mars 2021. Në po të njëjtë ditë, OShP e kishte njoftuar Ministrinë e infrastrukturës lidhur me ankesën dhe se e njëjta obligohej ta pezullonte këtë tender.

Tre ditë më vonë, respektivisht më datën 22 mars 2021, autoriteti kontraktues, Ministria e Infrastrukturës i ishte drejtuar OShP-së me kërkesë për heqjen e obligimit të pezullimit automatik.

Ministria këtë kërkesë e kishte justifikuar me atë se pas publikimit të njoftimit për kontratë, patën shumë kërkesa për sqarim të dosjes së tenderit dhe përkatësisht me kriteret e dosjes ku thuhet se janë sqaruar dhe janë përshtatur në bazë të kërkesave që të mos jenë diskriminuese dhe konform LPP-së.

 

194 operatorë ekonomik kishin tërhequr dosjen e tenderit

“Dosja e tenderit është tërhequr nga 194 operatorë ekonomik, nga të cilët vetëm dy operatorë ekonomik kanë bërë kërkesë për rishqyrtim, edhe këto kërkesa i kemi aprovuar si pjesërisht të bazuara edhe pse kanë qenë të pasafatshme”, citohet të ketë thënë AK në komunikimin me OShP-në.

Kërkesa për rishqyrtim që përmendet nga autoriteti kontraktues,  kishte të bënte me kërkesat e përshtatshmërisë profesionale dhe teknike, ku AK referencat për mirëmbajtjen e rrugëve nga 1.5 milionë euro i minimizoi në 750 mijë euro, gjithashtu thuhet se nuk është kërkuar vetëm një kontratë, por disa kontrata dhe janë vendosur kritere minimale për t`u plotësuar.

Autoriteti kontraktues thotë se pretendimet për kritere diskriminuese të ankuesit janë të pa bazuara pasi kritere të tilla i ka plotësuar ankuesi dhe është shpërblyer me kontrata.

Në vendim gjithashtu thuhej se rrezikohet të mbetet pa mirëmbajtje të rrugëve pasi të gjitha kontratat pothuajse kanë përfunduar.

Në anën tjetër nga operatori ekonomik ankues ishte kërkuar që të mbetet në fuqi pezullimi ku pretendon se u favorizuan kompani dhe u vendosen kritere diskriminuese.

 

OShP nuk ishte ‘bindur’ që ta hiqte pezullimin e tenderit

Gjykata e tenderëve, OShP, nuk ishte bindur nga arsyetimet e Ministrisë për heqjen e obligimit për pezullimin e këtij tenderi.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit konstaton se kërkesa AK-së, për heqjen automatike për aktivitetin e prokurimit “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitin 2021-2024”, me numër të prokurimit: MI 21-001-211, nuk përmban arsye bindëse siç parashihet me nenin 112.2 të LPP-së, për arsyet e cekura nga AK-ja, në parashtresën e datës 22.03.2021, nuk vijnë në shprehje në rastin konkret dhe nuk janë bindëse për OShP-në”, thuhet në përgjigjet e OShP-së.

Kreu i këtij institucioni e kishte refuzuar kërkesën e Ministrisë si të pa bazuar për faktin se autoritet kontraktues është i thirrur t’i planifikoj dhe t’i menaxhoj mirë projektet dhe t’i ketë parasysh fazat e ankimimit.

Gjithashtu thuhet se autoritet kontraktues është dashtë t’i filloj procedurat para skadimit të kontratave dhe jo me vonesë.

Tutje në vendim thuhej, se OShP do të vazhdoj me procedura të më tutjeshme të shqyrtimit të ankesës.

Me rastin e marrjes së vendimit, në mes tjerash u tha se OShP nuk mund t`iu ndaloj operatorëve ekonomik ankesat pavarësisht në cilat faza ata ankohen, sepse LPP-ja i ka dhënë mundësi të ankohen edhe kundër njoftimit për kontratë.

“Nëse vendoset të hiqet obligimin për pezullim automatik dhe më vonë vërtetohet se ka kërkesa diskriminuese në dosjen e tenderit, kjo do të shkaktonte pasoja të pa riparueshme duke ardhur në një situatë ku nuk do të mund të bëhej edhe një vlerësim real i ofertave të dorëzuara, atëherë dëmtimi i buxhetit të Kosovës do të ndodhte, për shkak të pakujdesisë dhe mos shqyrtimit me kohë të pengesave që të do mund të hasen në këtë projekt….”, thuhet në mes tjerash në vendimin e OSHP-së për refuzimin e kërkesës së Ministrisë së Infrastrukturës për pezullimin e tenderit.

OShP- Vendim 246-21

 

Liburn Aliu pranoi zyrtarisht detyrën nga ish-ministri Abrashi

Rreth një muaj më vonë, ministri Liburn Aliu anuloi tenderin 44.4 milionë euro për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve për vitin 2021-2024.

U përgatitë dy ditë para zgjedhjeve, ministri Aliu anulon tenderin mbi 44.4 milionë euro