Abrashi paralajmëron zhbllokimin e unazës së Prishtinës

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka paralajmëruar zhbllokimin e unazës së Prishtinës.

Në një postim në Facebook, Abrashi ka shkruar se me vendimin e Qeverisë për dhënien në shfrytëzim Komunës së Prishtinës, parcelën përbri hekurudhës, do t’i hapet rrugë ndërtimit të unazës qendrore në kryeqytet që lidh lagjen “Arbëria” me rrethrrotullimin në lagjen “Lakrishte”.

“Pas disa muajsh punë e angazhim, dje Qeveria e Kosovës mori vendim dhe i dha në shfrytëzim Komunës së Prishtinës, parcelën përbri hekurudhës (pronë e Infrakosit).  Ky vendim hapë rrugë që të ndërtohet unaza qendrore, që lidh Arbërinë me rrethrrotullimin në Lakrishte, projekt ky i lënë anash tash e shumë vite”, ka shkruar ai.

Sipas ministrit në detyrë, ndërtimi i kësaj unaze do të lehtësojë dukshëm trafikun në Prishtinë e gjithashtu do të zhvillojë edhe disa pjesë të Arbërisë.

“Faleminderit Infrakosit e Komunës për bashkëpunimin e shkëlqyer.  Urime të gjithëve”, thuhet në publikimin e tij.

Foto: Arban Abrashi/Facebook