Nënshkruhet memorandumi për asfaltimin e rrugës Talinoc i Muhaxherëve- Rahovicë

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu përmes një postimi në facebook ka bërë të ditur se së shpejti do të filloj asfaltimi i rrugës Talinoc i Muhaxherëve – Rahovicë.

“Një tjetër projekt madhor për Ferizajn e ferizajasit, nisi sot, me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit dhe Financimit për asfaltimin e rrugës Talinoc i Muhaxherëve – Rahovicë, shteg rrugor ky me gjatësi 6 kilometër, me shteg për çiklistët e trotuare që kap vlerën buxhetore të 3.5 milionë eurove”, thuhet në postimin e Aliut.

Aliu ka shkruar se sot bashkë me ministrin e Infrastrukturës, Arban Abrashi si dhe me mbështetjen e zëvendësministrave Zariqi dhe Svarqa, kanë nënshkruar Memorandumin për këtë projekt, i cili sipas Aliut do t’i jap ritëm të ri zhvillimi gjithë zonës ku do të investohet, lehtësi e përparësi, banorëve dhe bizneseve.

“Urime Ferizaj, në nisje të këtij projekti të rëndësishëm infrastrukturor”, ka shkruar Aliu.