Abrashi: Grave do t’u Krijojmë Hapësirën që ta Menaxhojnë Kryeqytetin

Gjatë një takimi me gratë e kryeqytetit, kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë sot se programi i tij garanton krijimin e mundësive që gratë dhe vajzat të japin kontributin e tyre profesional për zhvillimin e Prishtinës.

“Bashkë, ne do të krijojmë kapacitete të mjaftueshme për sistemimin e fëmijëve në çerdhe, kopshte dhe shkolla, publike e private, që t’u mundësojmë nënave e motrave tona të realizojnë potencialin e tyre profesional e personal dhe të drejtën për të qenë qytetare aktive”, ka thënë Abrashi.

Ai ka thënë se është krenar që “brenda shtëpisë sonë politike ka kaq shumë gra e vajza, të cilat janë të profileve të ndryshme dhe do të jenë artikuluese të programit tonë për qeverisjen e Prishtinës gjatë mandatit të ardhshëm”.

Abrashi ka pohuar se nën drejtimin e tij, Komuna e Prishtinës do t’u krijojë hapësirën që meritojnë grave dhe vajzave që ta menaxhojnë kryeqytetin, ashtu siç menaxhojnë shtëpitë.

“Jam i vetëdijshëm se barrën e përkujdesjes, jo vetëm ndaj fëmijëve, por edhe ndaj personave të moshuar, gjyshërve tanë të dashur, e mbajnë nënat, gratë dhe motrat tona. Ne synojmë dhe kemi projekte konkrete për ndërtimin e institucioneve të kujdesit ditor dhe kujdesit të përhershëm për moshat e treta. Ata meritojnë, që krahas ngrohtësisë së familjes, të kenë një jetë sociale dhe rekreative me bashkëmoshatarët e tyre”, ka thënë Abrashi.

Ai ka thënë Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti e qendrës së djathtë dhe e integruar plotësisht në familjen e Partive Popullore Evropiane, është e vendosur që ta avancojë rolin e gruas, “sepse ne jemi plotësisht të bindur se kështu ne vazhdojmë traditën e ruajtjes së familjes, si një vlerë e çmueshme e traditës sonë kombëtare, por edhe si vlerë e civilizimit tonë”.

Ndërsa, anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Vlora Dumoshi, ka thënë se gjatë qeverisjes në Prishtinë, por edhe në nivelin qendror, LDK ka dhënë shembull për avancimin dhe fuqizimin e grave. Ajo ka thënë se me qeverisjen e Abrashit dhe të LDK-së, gruaja do të jetë faktori kryesor që do të bëjë ndryshimin në kryeqytet.