Kurti në Prishtinë: Qeveria jonë do të jetë e arsimit dhe dijes, kundër varfërisë e pabarazisë

Lëvizja Vetëvendosje mbajti tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore në Prishtinë.

Kreu i saj, Albin Kurti, në këtë tubim dha premtime për arsimin, ekonominë, bujqësinë dhe barazinë gjinore.

Ai tha se qeveria e tij do të jetë qeveri e arsimit e dijes dhe kundër varfërisë e kundër pabarazisë.

“Qeveria jonë do ta reformojë arsimin, për ta rritur dijen. Ne do ta stimulojmë leximin duke e bërë atë kulturë e jo hobi. Dijen do ta rrisim me arsim, arsimin do ta lidhim me ekonomi. Qeveria jonë do të jetë qeveri e arsimi dhe e dijes, kundër varfërisë, kundër pabarazisë dhe për solidaritet. Mësuesit, arsimtarët, e profesorët do të kenë trajtim meritor e pagë të dinjitetshme”, tha Kurti.

Kryetari i Vetëvendosjes tha se me qeverisjen e partisë së tij, nuk do të ketë borgj ndaj asnjë ‘tajkuni’, shërbimi apo ambasade. Ai tha se borgj do të ketë vetëm ndaj popullit.

“Si qeveri e re do ta gjejmë Kosovën në një gjendje shumë të rëndë. Qyetarët e kanë hubmur besimin në shtet sepse nuk kanë parë qeveri të mirë. Çdo i gjashti qytetar i Kosovës është i varfër, mbi 100 mijë qytetarë varen nga skema e ndihmës sociale. Minatorët tanë të cilët flejnë mbi ar nuk kanë as jorgan për tu mbuluar, bujqit nuk mund ta punojnë tokën, sepse kur shkojnë të blejnë derivate traktori i tyre llogaritet sikur të ishte ‘mercedes’”, deklaroi Kurti.

Kurti në Prishtinë tha se diaspora e Kosovës dërgon e shpenzon mbi 1 miliard euro në vit dhe se përbëjnë 90% të investimeve të huaja direkte.

“Qeveria jonë heqë haraçin në qeveri, sjellë kutitë e votimit nëpër ambasada  e siguron rimëkëmbjen e shkollës shqipe me arsimtarët më të mirë të gjuhës”, premtoi ai.

Kurti gjithashtu bëri premtoi fuqizim të sistemit të drejtësisë e të sigurisë në vend.

“Kosova është vend i rënduar me krime. Nuk ka as dënime për kriminelët e as shpërblime për viktimat. Kurse Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial i Kosovës, marrë së bashku, nuk e kish as 10% të buxhetit që e bën asfalt. Prandaj, do ta fuqizojmë Prokurorinë e Gjyqësinë, do ta forcojmë policinë e ushtrinë, që të jemi të drejtë e të kemi drejtësi, që të jemi të sigurtë e të kemi siguri”, tha Albin Kurti në tubimin përmbyllës.