Marshi në Lëvizjen Vetëvendosje, Foto: KALLXO.com

Shkelje e heshtjes zgjedhore, Vetëvendosja dënohet me 4 mijë e 100 euro nga PZAP

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar 11 ankesat e organizatave BIRN dhe Internews Kosova, që kanë të bëjnë me shkeljen e heshtjes zgjedhore nga Lëvizja Vetëvendosje.

Dënimi prej 4 mijë e 100 eurove ka të bëjë me vazhdimin e sponsorizimit të fushatës zgjedhore në rrjetin social ‘Facebook’, edhe në ditën e heshtjes zgjedhore, nga ana e Vetëvendosjes.

Ankesa ka të bëjë pasi në profilin zyrtar të Vetëvendosjes dhe të kandidatëve për deputet nga ky subjekt, të Mentor Hysenit, Taulant Kryeziut, Fjolla Ujkanit, Gazmend Gjyshincës, Artan Abrashit, Qemajl Aliut, Valon Ramadanit, Agron Avdiajt dhe Labinotë Demi Murtezi është bërë fushatë në ‘Facebook’ edhe në ditën e heshtjes zgjedhore.

Kjo sipas ankesës është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet dhe Kodin e Mirësjelljes.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka kthyer përgjigje në lidhje me ankesën, ndërsa ka afat prej 15 ditëve për ta paguar gjobën.