Ramush Haradinaj dhe Shpend Ahmeti në konferencë të përbashkët pas takimit Foto: ZKM
AAK-PSD dënohet me 4 mijë e 500 euro për shkelje të heshtjes zgjedhore
Koalicioni parazgjedhor AAK-PSD është dënuar me 4 mijë e 500 euro gjobë në dy raste të ndara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për shkelje të heshtjes zgjedhore të datës 5 tetor.
Ky dënim nga PZAP-ja erdhi pas 7 ankesave nga organizatat BIRN dhe Internews Kosova dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Dënimi i parë prej 3 mijë euro ka të bëjë me publikime në rrjetin social ‘Facebook’.
Në profilin zyrtar të koalicionit AAK-PSD dhe kandidatëve për deputet nga ky koalicion, Ramiz Llugaxhiu, Driton Bardheci, Pal Lekaj, Donika Kadaj-Bujupi, Bajram Hasani dhe Muhamet Kelmendi, kanë vazhduar fushatën edhe në ditën e heshtjes zgjedhore dhe ditën e votimit.
Kjo sipas ankesës është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet.
Në përgjigjen e koalicionit për ankesën e parashtruar thuhet se nuk ceket saktësisht në cilin nen të ligjit ose cilin paragraf e shkel ky lloj marketingu, ndërsa në PZAP kanë ofruar si dëshmi njoftimin që e ka bërë koalicioni për anëtarët dhe simpatizantët, në lidhje me respektimin e rregullave zgjedhore.
Kurse dënimi i dytë i shumës 1 mijë e 500 euro ka të bëjë me vendosjen e një posteri të koalicionit AAK-PSD, në afërsi të shkollës ‘Zenel Hajdini’ në Ferizaj, pikërisht në ditën e zgjedhjeve.
Koalicioni në fjalë nuk ka ofruar përgjigje për ankesën, ndërsa ka afat prej 15 ditëve që t’i paguajë gjobat.
Deri më tani pas ankesave të BIRN dhe Internews Kosova, PZAP-ja ka dënuar me 138 mijë euro partitë politike.
Ankesat e BIRN dhe Internews Kosova, PZAP gjobit me 138 mijë euro partitë politike