Reagon ish-drejtoresha nga PDK për rrënimin e Shtëpisë së Kulturës në Vushtrri

Ish drejtoresha e Kulturës në Vushtrri, në kohën e PDK-së, Shpresa Rama, ka reaguar ndaj reagimit të kryetarit të tanishëm të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri lidhur me rrënimin e Qendrës së Kulturës në këtë qytet.

“Qendra e Kulturës “Hasan Prishtina” u rrënua sot dhe Kryetari Xhafer Tahiri s’e ndaloi dot, ani pse publikisht premtoi që do ta fus në listën e trashëgimisë dhe do ta konservoi”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se çështja e Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina” e ka përcjellë përgjatë katër viteve sa ishte në Drejtori të Kulturës.

“Aso kohe, e mbaj në mend, që kishte qytetar shumë të zëshëm që kishin kërkesë që pjesa përpara të mos demolohet, por të ruhet. Ndër ta janë edhe dy drejtor komunal të VV-së z. Mek Selaci dhe z. Sylejman Meholli të cilët ishin të pranishëm edhe në dëgjim publik dhe e morën fjalën e kërkuan që ky projekt mos të kaloj (e kam me fakte në procesverbalin e dëgjimit publik)”, ka thënë Rama.

Ajo ka shtuar se njësoj si dy Drejtorët Komunal, edhe Tahiri la bërë premtim në TV që do ta ndaloj një projekt të tillë, e do ta fus nën mbrojtje Qendrën e Kulturës.

“E ku jemi sot, projektin që ne e lamë për nënshkrim kontrate (pasi që të gjitha procedurat kishin përfunduar), e nënshkroi Xhafer Tahiri”.

Tahiri ka reaguar gjatë ditës për rrënimin e Qendrës së Kulturës, duke thënë se vendimi ishte marrë para se ai të merrte mandatin.

http://kallxo.com/xhafer-tahiri-reagon-per-rrenimin-e-qendres-se-kultures-ne-vushtrri/