Pacolli i rekomandon kryeministrit të dorëhiqet

Kuvendi i Kosovës është duke diskutuar Interpelancën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës,  Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli i rekomandoi kryeministrit Haradinaj që të dorëhiqet nëse nuk mund ta frenoj vetën dhe qeverinë që mos të ndërhyjnë në çështje që i përkasin sistemit të drejtësisë.

“Nëse nuk  mund ta frenosh veten dhe qeverinë për vendimet dhe çështjet që u përkasin institucioneve të drejtësisë vendimin më të mirë që mund ta marrësh për këtë vend dhe qytetarët e këtij vendi është të dorëhiqesh”, tha Pacolli.

Pacolli tha se raporti vë në pah mungesën e afatit se kur duhet të përfundojnë veprimet fillestare në mënyrë që të iniciohen procedurat penale.

“Por më shqetësuese mbetet se edhe atëherë kur fillon procedura penale me aktvendim për fillimin e hetimit të lëshuar nga prokurori, zyrtarët përgjegjës për kryerjen e hetimeve mbeten të varur në aspektin funksional nga hierarkia e policisë”, tha ajo.

Sipas Pacollit, kjo ndikon negativisht në punën e prokurorit, pasi hetuesit policorë mund të marrin urdhëra kundërthënës nga eprorët e tyre.

Raporti sipas saj thekson se nuk ka interesim të bëhet zgjerimi i rasteve edhe atëherë kur ka mundësi dhe kushte për zgjerim të hetimit.

“Sipas procedurave të rregullta me ligj, policia është e detyruar që t`i dërgoj raport policor prokurorit të shtetit brenda 24 orëve. Por, sipas të gjeturave Policia e Kosovës, departamenti i hetimeve i cili i trajton rreth 2 mijë raste në vit, 20 për qind të rasteve nuk regjistrohen në sistemin e policisë dhe si rezultat nuk referohen fare në prokurori me arsyetimin se ka mungesë të dyshimeve të arsyeshme”, tha ajo.

Pacolli iu drejtua kryeministrit se ky raport dhe raporti për vendim paraqet qartë se është pikërisht kjo qeveri dhe qeveritë e mëparshme që kanë degraduar sistemin e drejtësisë.

“Nga ju shihet se nuk ka as vullnet e as guxim për ta ndryshuar këtë gjendje. Kjo dëshmohet nga gjendja e rëndë në të cilën gjendet Telekomi  i Kosovës dhe afera me Z mobile që ju jeni të informuar për këtë aferë. Afera për 8 milion euro për rrugën e Gjilanit, ndërtimet ilegale dhe shpronësimet që po u bëni uzurpatorëve, presioni që bëtë mbi Gjykatën Kushtetuese, në rastin e shqyrtimit të vendimit për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë publik, përfshirë edhe pagën tënde kryeministër, vendosjen e Njazi Thaçit në krye të KEK-ut, mos shkarkimin e ministrave Besim Beqaj e Pal Lekaj që tashmë kanë aktakuzë të ngritur e sidomos për vendimin që morët për t`i paguar Bechtel-it 53 milion euro pa kërku përgjegjësi”, tha Pacolli.