Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK kërkon interpelancë me kryeministrin dhe ministrat për rastet e vrasjes së grave

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka parashtruar sot kërkesë për interepelancë me kryeministrin e vendit, Albin Kurti dhe ministrat e sektorit të sigurisë, pas rasteve të fundit të vrasjes së grave nga burrat e tyre.

Kështu bën të ditur deputetët e PDK-së Blerta Deliu Kodra dhe Rashit Qalaj në një konferencë për media.

Deputetja Deliu- Kodra tha se institucionet po dështojnë në mënyrë sistematike për të ofruar siguri juridike për qytetarët, sidomos për gratë dhe vajzat.

“Këto duhet të jenë rastet e fundit dhe ky duhet të jetë alarmi i fundit për shtetin dhe për shoqërinë tonë. Si Grupi më i madh Parlamentar opozitar ne nuk kemi mundur që të qëndrojmë duarkryq dhe të jemi indiferent karshi përballjes me një gjendje të viktimave pothuajse të përjavshme. Prandaj Partia Demokratike Kosovës në mënyrë urgjente sot ka parashtruar mocionin për interpelancë me kryeministrin për të vënë para përgjegjësisë institucionet qeveritare të cilat me vendimet dhe veprimet e tyre po dështojnë në mënyrë sistematike për të ofruar sigurinë juridike për qytetarët e Kosovës, për gratë dhe vajzat e këtij vendi”- deklaroi Deliu Kodra.

Ajo ka thënë se vrasjet dhe sulmet seksuale janë fenomene në rritje dhe ngjarje tronditëse duke shtuar se ato përbëjnë alarm për shoqërinë dhe institucionet.

“Vrasjet dhe krimet e tjera si sulmet seksuale, dhunimet e ngacmimet janë jo vetëm fenomene në rritje, por edhe ngjarje të jashtëzakonshme e tronditëse, të cilat duhet të përbëjnë alarm serioz për shoqërinë, institucionet dhe mbarë vendin”- tha ajo.

Ndërsa, deputeti Rashit Qalaj shprehu shqetësim për atë që siç tha ai për mosefikasitetin e institucioneve të sigurisë.

“Në emër të PDK-së i shpreh ngushëllime familjes Magashi dhe të shprehim indinjatën më të thellë për këtë situatë të sigurisë të krijuar këto ditë dhe të shprehim shqetësimin tonë të skajshëm për mosefikasitetin e institucioneve të sigurisë, në këtë rast të Policisë së Kosovës me rastin e fundit, ku viktima është dashur të mbrohet nga institucionet e Kosovës, me qenë se ka pasur një urdhër mbrojtjeje nga Gjykata Themelore kompetente”- u shpreh Qalaj.

Qalaj mes tjerash ka theksuar se Policia e Kosovës ende është pa drejtor.

“Kjo bëhet kur Policisë së Kosovës nuk i ndërhyhet në aspektin operacional, kur institucionet e shtetit nuk udhëhiqen nga ushtrues detyre, kur drejtuesve të këtyre institucioneve dhe punëtorëve të tyre nuk u zvogëlohen pagat, kur punëtorëve të tyre u përmirësohen kushtet e punës. Ata nuk kanë asnjë mbështetje nga institucionet përkatëse. Ne kemi bërë thirrje të vazhdueshme që PK të ketë drejtorin e saj”- tha ai.

KALLXO.com në vazhdimësi po raporton për detaje nga rasti i vrasjes së 35 vjeçares shtatzënë.

E njëjta mbrëmjen e kaluar u vra në oborrin e QKUK-së ndërsa ishte duke qëndruar në Klinikën e Gjinekologjisë pasi ishte në prag të lindjes së një foshnje.

Burri i saj është personi i dyshuar për kryerjen e vrasjes ndërsa i njëjti po kërkohet nga organet e rendit dhe gjendet në arrati.

Gruaja kishte një urdhër mbrojtje që nga shtatori i këtij viti, vlefshmëria e së cilit ishte deri në mars të vitit 2023.

Deri te urdhri i mbrojtjes erdhi një rast i mëhershëm i raportuar për dhunë në familje më konkretisht në korrik të këtij viti.

Ndaj burrit të dyshuar është ngritur një aktakuzë për kanosje që lidhet edhe me dhunë në familje.

KALLXO.com raportoi se në shtator Sokol Halili ishte dënuar me gjobë prej 300 euro për armë mbajtje pa leje.

Ai dyshohet se mbante një armë me kalibër 9 milimetra prodhim turk dhe një karikator për 8 vite.

Për këtë vepër penale ai ishte penduar para gjyqtarit dhe kishte premtuar se nuk do të kryente më një vepër të tillë apo të ngjashme.

Nën këtë rrethanë lehtësuese Sokol Halili ishte dënuar me 300 euro gjobë.