Hodaj: IPK në 2023-ën hetoi 156 policë për përfshirje në vepra kriminale

Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj ka thënë se gjatë viti 2023, Inspektorati Policor hetoi 178 të dyshuar për parandalimin e krimit policor.

Prej tyre sipas Hodajt, janë hetuar 156 punonjës policorë dhe 22 qytetarë, të përshirë në raste të përbashkët me zyrtarët policorë.

Këto të dhëna kryeinspektori Hodaj i bëri të ditura të hënën, më 13.05.2024, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes për raportin vjetor të punës për vitin 2023.

“Kemi ngritur 74 kallëzime penale ndaj të dyshuarve për veprimtari kriminale në prokuroritë gjegjëse, kemi arrestuar 35 punonjës dhe  qytetarë nën dyshimin për përfshirje në vepra të ndryshme kriminale. Kemi rekomanduar suspendimin 71 e punonjësve policorë të gradave dhe niveleve të ndryshme”- ka thënë Hodaj.

Gjatë raportimit Hodaj ka potencuar edhe të arriturat e IPK-së gjatë vitit 2023.

Ai tha se gjatë 2023, IPK ka trajtuar 1697 ankesa, 32% e tyre janë përcjellë për hetime penale, ndërsa 68% për hetime disiplinore.

Ai tha se gjatë 2023-ës janë bërë edhe inspektime për të rritur zbatueshmërinë e ligjit në forcat e rendit.

Në Komisionin Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Kushtrim Hodaj, fillimisht, në mungesë të kuorumit ka prezantuar raportin e punës për 2023-ën, ndërsa pas plotësimit të kuorumit i është përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të Komisionit.