Objekti i Komunës së Mitrovicës | Foto: KALLXO.com

9 mësimdhënës të Mitrovicës mbi tre muaj pa paga

Problemet me miratimin e buxhetit të Komunës së Mitrovicës kanë bërë që disa mësimdhënësve në Mitrovicë t’i vonohen pagat.

Mësuesit të cilët nuk kanë pranuar të zbulojnë identitetin përmendën një numër më të lartë të mësuesve me këtë problematikë sesa e thotë komuna.

Njëri nga mësimdhënësit, emër i njohur për redaksinë, ka thënë se ende nuk i kanë marrë pagat, ndërsa në këtë gjendje janë rreth njëzet apo më shumë kolegë nga qyteti i Mitrovicës.

“ Jo ende bile e kemi dërguar rastin në Inspektorat të Arsimit tash duhet me i paraqit edhe në gjyq se s’ka kurgjo absolut , vetëm thonë jo këtë muaj, jo këtë muaj, sa kam informata ka edhe të tjerë diku rreth 15 ose 20 kolegë të tjerë janë në këtë gjendje. Ka rreth pesë muaj për mua, ndërsa ka kolegë që për gjashtë muaj nuk është paguar, por ka që edhe deri në një vit që nuk ka marr pagë “, ka thënë në kushte anonimiteti njëri nga ta.

Në anën tjetër Defrim Gashi nga Inspektoriati i Arsimit për KALLXO.com ka thënë se nuk kanë marrë ndonjë ankesë nga këta mësimdhënës.

“ Deri më tani te ne nuk ka arritur asnjë ankesë e tillë, çështja e pagesës së mësimdhënësve është kompetencë e komunës “ tha Gashi.

Problemin për pagesën e mësimdhënësve e ka pranuar edhe Iset Beka, drejtor i arsimit në Komunën e Mitrovicës.

I kontaktuar nga KALLXO.com,  Beka, ka thënë se këtë problem e kanë vetëm nëntë mësimdhënës.

“ Po kanë qenë nëntë mësimdhënës tash do ta marrin pagën, i kemi shti në listë të pagave ka qenë çështja e mosmiratimit të buxhetit që është shty…deri në mars që nuk ka mundur me u aprovu buxheti për qata ka qenë ajo punë..disa ka që tre muaj disa katër muaj që nuk i kanë marrë pagat “, ka thënë Beka.

Beka ka thënë se këtë muaj do të paguhen mësimdhënësit.