Trepça - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Punëtorët e Trepçës ende nuk i kanë marrë pagat e muajit korrik

Ndonëse data është 16 gusht, punëtorëve të Ndërmarrjes Publike “Trepça” ende nuk i kanë marrë pagat e muajit korrik.

Mbi 1 mijë e 200 punëtorë të kësaj ndërmarrje për shkak të mosrealizimit të pagës, aktualisht nuk janë duke punuar.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar nënkryetari i Sindikatës së Punëtorve të Trepçës, Destan Kërleshi.

“Ju konfirmoj se deri në këto momente ende nuk janë dalë pagat e muajit të kaluar, korrik. Jo nuk jemi duke punuar. Po presim të bëhët pagesa dhe të ia fillojmë punës”- tha Kërleshi.

Nënkryetari i sindikatës theksoi se sot kanë pasur takim me kryeshefin Enis Abdurrahmanin në lidhje me mosekzekutimin e pagave të muajit korrik.

“Patëm takim me kryeshefin, tani jemi duke diskutuar me minatorët, por që nuk ka garanci as sot që mund të ekzekutohen pagat” – tha Kërleshi.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me kryeshefin Enis Abdurrahmani përmes telefonit por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm. Po ashtu, atij i është dërguar edhe një mesazh me pyetje por deri në publikimin e këtij artikulli i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.

Probleme me paga, punëtorët e ndërmarrjes publike, “Trepça” kanë pasur edhe muajin e kaluar.

Minatorët e Trepçës në protestë, sërish u vonohen rrogat