Thaçi kërkon mbështetjen e Isa Mustafës rreth idesë për bashkim kombëtar
Pas idesë së tij për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, presidenti Hashim Thaçi tash po e shtyn përpara idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
Për këtë qëllim ai po kërkon miq dhe aleatë.
“Nuk është mision i pamundur, përkundrazi. Bashkimi kombëtar është në mendjen dhe shpirtin e çdo shqiptari. Le ta bëjmë realitet bashkë!”, ka thënë Hashim Thaçi në një “letër” drejtuar kryetarit të LDK-së.
Presidenti Thaçi thotë se Kosova duhet të bashkohet natyrshëm me Shqipërinë, “nën ombrellën e përbashkët të BE-së ose edhe vetëm nën ombrellën shqiptare, nëse BE-ja vazhdon t’i mbyllë dyert e saj për ne”.
Në përpjekje për arritjen e këtij qëllimi, Thaçi i bën thirrje Isa Mustafës të jetë në krah me të.
Reagimi i presidentit vjen pas një komenti të kreut të LDK-së, Isa Mustafa, rreth përplasjeve mes Hashim Thaçit dhe ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha.
Këta të dy, kryesisht në rrjete sociale, kanë drejtuar akuza ndaj njëri tjetrit se në një mënyrë ose tjetër i kanë ndihmuar Serbisë, shtet i cili kreu gjenocid mbi popullatën në Kosovë.
Mustafa tha se është shumë e gabuar t’i thuhet Sali Berishës bashkëpunëtor i Serbisë.
https://kallxo.com/isa-mustafa-don-paqe-ne-mes-te-hashim-thacit-e-sali-berishes/