Ramadani: Ishte humbje me dinjitet

Prishtina është eliminuar nga Liga e Kampionëve, pas humbjes me rezultat 1-3, nga Ferencvarosi në ndeshjen kthyese të rundit të parë në Ligën e Kampionëve.

Kampionia e Kosovës është eliminuar nga ky kompeticion me rezultat të përgjithshëm 6-1, nga të dy ndeshjet.

Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, ka deklaruar pas ndeshjes se kualifkimi ishte mision i pamundur për ta.

“Me rezultatin nuk mund të jemi të kënaqur, pranuam tre gola. Me lojën mund të jemi të kënaqur, marrë parasysh çfarë kundërshtari kishim përballë. Kualifikimi ishte mision i pamundur dhe një barazim do të ishte shumë i mirë për moralin. Për këtë humbje nuk duhet të mërzitemi aspak, sepse duhet të dimë forcën që e kemi. Duhet të japim edhe më shumë në Ligën e Konferencës. Atje nuancat vendosin”, ka theksuar Ramadani.

Ai ka vlerësuar se kjo ishte humbje me dinjitet.

“Uroj lojtarët për angazhimin dhe mundin. Ishte humbje me dinjitet, ndërsa ekipi kundërshtar me plot meritë avancon tutje. Jemi të vetëdijshëm se ndaj Ferencvaroshit ishim autsajder. Me kundërshtarin e ardhshëm do të vendosin nuancat. Përballë do ta kemi kampionin e Uellsit apo atë të Armenisë”, ka shtuar trajneri i Prishtinës.