Ramadani: Kemi humbur dy pikë ndaj Gjilanit

Prishtina nuk arriti ta mposht Gjilanin edhe pse ishte me një lojtar më shumë prej minutës së 57-të.

Kryeqytetasit barazuan me rezultatin 1-1 ndaj Gjilanit ndeshje e cila ishte e vlefshme për xhiron e 13-të në Superligën e Kosovës.

Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani ka deklaruar se ai e merr përgjegjësinë për formën e dobët të Prishtinës dhe barazimin e sotëm.

“Dy pikë të humbura. Ishim në avantazh, kishim një futbollist më tepër dhe çfarëdo që themi, nuk e arsyeton. Ky rezultat është i barabartë me humbje. Kishim epërsinë numerike dhe u ndëshkuam. Kemi mundur të evitojmë penalltinë. Përgjegjësinë maksimale e marr unë, pasi ndoshta nuk po arrij të motivoj ekipin më shumë. Duhet të luajmë me përgjegjësi, me karakter, me personalitet, pasi nuk jemi aty ku duhet. Duke marrë parasysh ndeshjet që kanë ngelur, jemi në objektiv pasi nuk është diferenca e madhe me pozitën e parë”, deklaroi Ramadani.

Pas këtij barazimi Prishtina pozicionohet në vendin e gjashtë me 17 pikë.

Gjilani dhe Prishtina i ndajnë pikët