Rafet Prekazi: Lojtarëve të Kosovës U21 u mungoi përvoja

Kosova U21, ka pësuar humbje me rezultat 0-1, nga Shqipëria, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Pas ndeshjes ka folur trajneri i Kosovës U21, Rafet Prekazi, ai ka thënë se lojtarët e tij nuk kishin vetëbesim në lojën e sotme.

“Mesfushorët kanë luajtur më shumë me qendërmbrojtësit. Nuk kishte vetëbesim. Taktikisht lojtarët nuk kanë qenë në nivelin e duhur. I futa këta lojtarët më të shpejtë, Selmanin dhe Baftiun, për ta shpejtuar lojën dhe normal që biseduam për dobësitë e pjesës së parë. Kam dashur që me këta djem të rinj ta kenë posedimin e topit”, ka thënë Prekazi.

Prekazi tha se i ka kushtuar mos përvoja në këtë ndeshje duke humbur.

“Ata e shfrytëzuan gjysmërastin dhe shënuan. Na ka kushtuar mospërvoja. U vërejt te rasti i Kryeziut. Ai krijoi disa mundësi, por nuk e pati përvojën e duhur. Kur u fut në lojë, pas 15 minutash pati problem me frymëmarrje, sepse niveli në këto lojë është i lartë dhe nevojitet përvoja”, ka thënë selektori i Kosovës U21, Rafet Prekazi.

Pas kësaj humbje Kosova pozicionohet në vendin e pestë me 9 pikë, me tri fitore dhe gjashtë humbje nga nëntë ndeshje.

Kurse, Shqipëria pozicionohet në vendin e tretë me 14 pikë.

Më 17 nëntor, Kosova do të luajë si mysafir ndaj Turqisë.