Rafet Prekazi dhe Lirim Kastrati flasin për ndeshjen ndaj Shqipërisë

Trajneri i Kombëtares së Kosovës U21, Rafet Prekazi dhe mbrojtësi i Bolognas Lirim Kastrati, kanë folur për ndeshjen ndaj Shqipërisë, të cilën e luajnë me 15 tetor në “Elbasan Arena” në Shqipëri.

Kjo ndeshje është e vlefshme për kualifikimet e “Euro 2021”.

Trajneri Prekazi thotë se Kosova do të luaj me krenari në këtë ndeshje dhe do të japin më të mirën në fushë.

“Kjo do të jetë një ndeshje si të gjitha tjera. Nuk merrem shumë me ekipin kundërshtar sa i përket lëndimeve, sepse edhe ne kemi problemet tona. Futbolli modern është agresiv dhe në një futboll të tillë lëndimet janë të mundshme. Sido që të jetë edhe në këtë ndeshje do të shkojmë të luajmë me krenari për këtë shtet dhe me përgjegjësi të madhe.  Kur Shqipëria shkoi në Kampionatin Evropian 9 lojtarë kanë qenë me prejardhje nga Kosova dhe të gjithë jemi gëzuar bashkërisht. Pra, nuk ka ndarje mes nesh. Futbolli është futboll. Personalisht nuk kam dashur që të jemi në të njëjtin grup me Shqipërinë, por tash duhet të japim më të mirën në fushë. Le të fitojë ai që e ka ditën dhe të jetë lojë korrekte. Mendoj se Kosova me paraqitjet që po i bën dhe me kualitetin që ka do të jetë një mini-Kroaci”, ka thënë Prekazi.

Kurse Lirim Kastrati ka thënë se do ta jap maksimumin ndaj Shqipërisë për Kosovën.

“Unë mendoj që ka me qenë një ndeshje e  mirë, sepse është e veçantë pasi të gjithë që zbresim në fushë do të jemi shqiptarë. Por ne do të japim maksimumin për të pasur rezultat të mirë dhe për të ecur përpara në grupin tonë. Edhe vetë kam luajtur me Shqipërinë me U17 dhe kam shokë atje, por kur hyj në fushë nuk mendoj asgjë tjetër përveç lojës dhe e jap maksimumin për shtetin tim”, ka thënë Kastrati.