Rafet Prekazi thotë se e pret punë e vështirë Kosovën ndaj Anglisë

Kosova U21, të premtën nga ora 19:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë do ta presë Anglinë U21, ndeshje e cila luhet në kuadër të kualifikimeve për Euro 2021.

Trajneri i Kombëtares së Kosovës U21, Rafet Prekazi në konferencë për media ka thënë se edhe ekipin e tij e ka prekur pandemia e COVID-19, ku detyrimisht iu është dashur që të bëj zgjedhje të detyruara për ndeshjen ndaj Anglisë.

“Atë që e kemi planifikuar për këtë cikël kualifikues kemi qenë mirë. Ka ndikuar te ne kjo situatë sepse është gjendje e vështirë. Bartësit e ekipit na mungojnë shkaku i situatës me coronavirus. Jam munduar ta mbuloj boshllëkun e tyre po ashtu me lojtarë kualitativ. Ka lojtarë më shumë se çdo herë nga liga e Kosovës. Zgjidhje tjetër nuk kam pasur”, ka thënë Prekazi.

Prekazi e ka quajtur Anglinë si fuqi botërore duke thënë se për këtë ndeshje janë më të fortë se në ndeshjen e parë në Angli.

“Është e tepërt të flasim për Anglinë, si fuqi botërore. Kosova i ka lënë përshtypje dhe kanë ardhur më të fortë se që kemi luajtur në ndeshjen e parë. Si trajner, në situatën që jemi për hirë të vërtetës, nuk kam qenë frikacak, por duke e ditë situatën me mungesa nuk e di që nuk e kish pranuar ndonjë trajner i fuqishëm botëror një barazim ndaj Anglisë”, ka potencuar Rafet Prekazi.

Kurse Mesfushori Eris Abedini ka thënë se në këtë ndeshje do të luajnë me zemër dhe do ta japin maksimumin.

“E di që do të jemi në karantinim por kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi do të ketë që të luajmë me zemër dhe ta japim maksimumin. E kemi përgatitur ndeshje mirë. Do të luajmë si ekip në mbrojtje e sulm, për të marrë rezultat pozitiv”, ka thënë Abedini.