Shtyrja misterioze e votimit për rektor të Universitetit të Prizrenit
Megjithëse kanë dëgjuar prezantimin e katër kandidatëve, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prizrenit nuk po arrin të votojë për rektorin e ri.
Të hënën ka qenë e paraparë të kryhet procesi i përzgjedhjes së rektorit të ri në Universitetit ‘Ukshin Hoti’ , mirëpo ajo u shty nën arsyetimin se intervistat ishin të gjata.
Votimi u shty për sot (e mërkurë, 8 maj), por sërish nuk ndodhi.
Arsyetimi i rradhës i Këshillit Drejtues është që anëtarëve të Këshillit Drejtues të këtij universiteti i kishin dalur disa udhëtime të papritura zyrtare.
Ky votim nuk pritet të mbahet deri në javën tjetër.
Kryesuesi i Këshillit Drejtues të këtij universiteti, Bedri Muhadri tregoi për KALLXO.com arsyet e shtyrjes së votimit.
“Ne kemi bërë gabim që nuk e kemi qitë në shtyp si informacion për shkak se disa profesora kanë pasë me udhëtu jashtë edhe nuk bëhet sot votimi. Sigurisht kanë pasur ndërkohë iu kanë ardhë, kumedit çka kanë pasë obligime shtesë. Mbledhjen e kemi shty javën tjetër. Ata janë në udhëtim zyrtar, të premten kthehen”, tha Muhadri.
Ai tha se nuk e din sa pjesëtarë të KD-së kanë udhëtuar e as arsyen specifike.
Kandidatët potencial për rektor janë profesorët Ismet Temaj, Kadri Kryeziu, Naser Pajaziti, Bekim Berisha dhe Hamdi Hoti.
Njëkohësisht Këshilli Drejtues tërhoqi vendimin për zgjedhjen e Temajt rektor ndërkaq, Ismet Temaj u zgjodh ushtrues detyre i rektorit deri në zgjedhje të reja.
Historiku i problemit
Këshilli Drejtues i UPZ-së më 22 maj të vitit 2018-të në rundin e dytë të votimit zgjodhi profesorin Ismet Temaj rektor të këtij Universiteti.
Kryesuesi i Këshillit Drejtues të këtij Universiteti kishte marrë vendim të shkruar më datën 30 maj 2018 për përzgjedhjen e Temajt si rektor, duke u thirrur në Statutin e Universitetit të Prizrenit dhe Rregulloren e Punës së Këshillit Drejtues.
Në fakt zgjedhja u bë në sallën ku prezentë ishin katër nga shtatë anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit dhe në mesin e shumë tensioneve.
Ky statut poashtu parasheh që për zgjedhjen e rektorit duhen dy të tretat e votave të anëtarëve të Këshillit Drejtues.
Sekretari i Universitetit të Prizrenit, Burim Berisha, e quajti këtë zgjedhje të jashtëligjshme, pasi sipas tij në sallë nuk ka pasur kuorum dhe kandidatët nuk kanë mundur të marrin 2/3 e votave, të nevojshme për zgjedhjen e rektorit.
“Jena dalë jashtë për konsultë, deri sa ne kemi qenë jashtë, në media e kam dëgjuar se është mbajtur një rund tjetër i votimit me katër anëtarë të bordit… Këtu ka pasur shkelje se nuk ka pasur kuorum dhe nuk i ka marrë pesë vota”, tha Berisha.
Berisha poashtu akuzoi kryesuesin e Këshillit Drejtues të këtij universiteti se ka marrë me vete materialin zgjedhor nga votimi për zgjedhjen e rektorit.
Në anën tjetër, kryesuesi i Këshillit Drejtues, Bedri Muhadri e konsideroi vendimin legjitim, duke thënë se janë të hapur ndaj ankesave.
“Rundi i parë dhe rundi i dytë është pjesë integrale dhe është një tërësi e njësuar për një çështje, po të ishte ndryshe mbi konstatimet e mia atëherë rektori do të ishte një maratonë e procesit të votimit, pasi nëse nuk kemi rezultate të duhura për një grupacion dhe lëshimi i mbledhjes do ta bënte një garë monotone dhe maratonike për zgjedhjen e rektorit”, tha Muhadri.
Muhadri thotë se vendimi ishte bazuar edhe në rregulloren për Punën e Këshillit Drejtues.
Megjithatë në rregulloren që e ka siguruar KALLXO.com në nenin 13 të saj parashihet se ‘Vendimet e Këshillit Drejtues janë të plotfuqishme vetëm nëse kuorumi vërtetohet në kohën e votimit’.
Muhadri poashtu pranoi se kishte marrë me vete materialin zgjedhor dhe për këtë çështje kishte dhënë deklaratë në polici.
Ai tha se meqë nga mbledhja ishte larguar Sekretari i Përgjithshëm dhe një zyrtar ligjor i KD-së, ai nuk kishte ditur çfarë të bënte me atë material.
Rektori i përzgjedhur, Ismet Temaj tha se vërtetësia e zbatimit të rregullave në votim është në kompetencën e atyre që kanë qenë prezentë.
“Mënyra si ka shkuar ka qenë shumë legjitime, shumë e drejtë, mënyra më e mirë e mundshme edhe gjatë intervistës, pyetjet kanë qenë me vend. Pastaj kur të kryhet intervista kandidatët nuk duhet të jenë aty… e bëjnë punën e tyre Këshilli Drejtues. Gjithmonë ai që humb garën ankohet, kjo është normale për mua, për mua ka qenë garë fer”, tha Temaj.
Në kohën kur për këtë rast kishte raportuar Gazeta Jeta në Kosovë, rektori aktual Ramë Vataj nuk kishte pranuar të flasë para kamerës, mirëpo kishte thënë se është ankuar në Ministrinë e Arsimit dhe te kryeministri i Kosovës.
Njëkohësisht Këshilli Drejtues tërhoqi vendimin për zgjedhjen e Temajt rektor ndërkaq, Ismet Temaj u zgjodh ushtrues detyre i rektorit deri në zgjedhje të reja.
Ramë Vataj ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kandidat për kryetar të Suharekës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Ai ishte zgjedhur rektor në vitin 2014.
Në anën tjetër, Ismet Temaj ka thënë se ka qenë anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar për problemet në zgjedhjet për rektor në UPZ dhe raportimet mund t’i gjeni në këtë link.