Kandidatët-Deputetë i Kthehen Suharekës (TV)

Dy minutat e kandidatëve për kryetar të Suharekës, kur ata duhet të shpalosin programin me të cilin kërkojnë votat e qytetarëve, kaluan kryesisht duke identifikuar problemet dhe premtuar zgjidhje të prgjithësuar për to.

Gjashtë suharekasit që duan karrigen e të parit të komunës përmendën projekte pa mbulesë, disa duke u mbështetur në donatorë që nuk i kanë gjetur, e disa në buxhetin e qeverisë aktuale.

Gjatë debatit replikuan më së shumti Bali Muharremaj, Ramë Vataj e Sali Asllanaj, të tre deputetë dhe kandidatë të partive parlamentare AAK, LDK e PDK, derisa kandidati nga Partia e Drejtësisë Bajram Tërshani rrinte kryesisht i heshtur gjatë replikave.

Edhe kandidatët e Suharekës, pa përgjigje për pyetjet specifike

Edhe kandidatët e Suharekës nuk gjetën metodë të efektshme për t’iu përgjigjur pyetjeve specifike, të bëra nga qytetarët dhe hulumtimet e BIRN-it dhe GAP-it.

Kanidati PD-së u ndie keq kur iu shtrua pyetja se si mund ta menaxhojë një komunë të tërë, kur nuk ka mundur ta vëjë nën kontroll gjatë orës së mësimit, një klasë prej 40 nxënësish, për të cilën gjë kishte marrë vërejtje nga drejtori dhe nuk i ishte vazhduar kontrata e mësimdhënies.

Sipas kryetarit të PD-së Ferid Aganit, Bajram Tërshani jep mësim të gjuhës angleze në fshatin Sibofc të Obiliqit që nga viti 2007.

Bali Muharremaj, kandidati i AAK-së dhe kryetar i Suharekës gati që një vit, u mundua t’i ikë pyetjes së pse gjatë mandatit të tij janë punësuar shtatë arsimtarë pa konkurs, në shkollën e mesme Skënder Luarasi, ku ka pasur edhe nepotizëm.

Sali Asllanaj, kandidati i LDK-së nuk pati përgjigje se pse nuk ka marrë masa ndaj kushëririt të tij Ahmet Asllanaj, i cili kishte goditur shefin e prokurimit komunal Sefer Luzhnica.

Sali Asllanaj drejtoi Suharekën deri në vitin 2009, kur u mposht nga ish-anëtari i LDK-së Blerim Kuçi, i dalë në AAK. Ai dyshohet se gjatë vitit 2008 keqpërdori tokën në pronësi të komunës.

Ramë Vataj para katër vjetësh kishte premtuar asfaltimin e rrugës në fhatin Savrovë, pa e bërë këtë, ndërsa i pyetur pse rruga nuk është shtruar me asfalt, është përgjgijur se këtë rrugë duhej ta shtronte Ministria e Transportit në atë kohë, por autostrada “dr Ibrahim Rugova” ka “hëngër” paratë e saj.

Kandidatët tjerë nuk u pajtuan me kryetarin Bali Muharremaj, kur ai tha se është rritur sasia e ujit të pijshëm në Suharekë.

Kandidati i pavarur Nisret Hysenaj, tha se sasia e ujit është rritur në pikat grumbulluese, por nuk po shkon deri te shtëpitë e qytetarëve.

Kandidatët i kanë shefa gratë e tyre

Shumica e grave të kandidatëve për kryetar të Suharekës, thanë se ato janë shefat e shtëpisë.

Bashkëshortja e kryetarit aktual dhe kandidatit të AAK-së Bali Muharremajt, tha se i vjehrri i saj dhe babai i kryetarit ka qenë shumë i vështirë dhe i ka detyruar t’i  ruajnë lopët dhe shalqinin e mbjellë në kopsht.

Gruaja e kryetarit të mëparshëm Sali Asllanaj tregoi se burri i saj i do shumë fëmijët.