foto; Denis Sllovinja
Statuti i ri UP-së: Nuk mund të jesh rektor nëse në 5 vitet e fundit ke ushtruar funksion politik e partiak
Statuti i ri i Universitetit të Prishtinës, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës në kuadër të Ligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës, pritet që të hënën të dal për votim në mbledhjen e Senatit të Universitetit të Prishtinës.
Që nga viti 2011, kur edhe ishte miratuar statuti i parë, versioni aktual ka pësuar disa ndryshime.
Një prej ndryshimeve, sipas versionit të propozuar është edhe mënyra e zgjedhjes së rektorit.
Sipas këtij propozimi, konsiderohet e papajtueshme e me pozitën e rektorit nëse kandidati ka ushtruar një funksion partiak apo politik në pesë vjetët e fundit nga dita e shpalljes së konkursit.
Po ashtu ky Statut pritet t’i pamundësojë të gjithë atyre që në 10 vitet e fundit kanë ushtruar aktivitet të lartë partiak apo politik që të zgjidhjen anëtarë në Këshillin Drejtues.
Po ashtu edhe sekretari i Universitetit nuk duhet të ketë të kaluar politike apo partiake, por në Statut nuk është specifikuar kufizimi i viteve, siç është përcaktuar për pozitën e Rektorit dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues.
Ndryshim tjetër është edhe zhvendosja e datës së fillimit të vitit të ri akademik.
Nga 1 tetori, siç parashihej me statutin paraprak, pritet të zhvendoset dy javë më herët, pra më 15 shtator.
“Periudha aktive e studimeve (ligjëratat, ushtrimet, vlerësimet) është e ndarë në dy semestra. Semestri dimëror, që fillon më 15 shtator dhe mbaron më 30 dhjetor. Semestri veror që fillon më 15 shkurt dhe mbaron më 31 maj” – thuhet në versionin e propozuar.
Në statutin e vitit 2011, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe i Arkitekturës figurojnë si një i vetëm, ndërkaq sipas propozimit, këto fakultete pritet të jenë të ndara.
Tek mënyra e studimit, statuti i ri ofron mënyra të studimit të rregullta, të rregullta online ose në format të kombinuar me prani fizike dhe online, si dhe studime me korrespodencë.
Ndërkaq sipas statutit aktual, opsioni i studimeve online nuk figuron.
Ndryshim tjetër është propozuar edhe tek parimet e procesit të emërimit dhe avancimit, në të cilin pritet të minohet mundësia që në një njësi akademike të punojë dy anëtarë të familjes.
“Për emërimet e reja në universitet, do të konsiderohet që ekziston papajtueshmëria me funksionin dhe konflikti i interesit nëse një anëtar i familjes së gjerë të kandidatit (shkalla e gjashtë e gjakut dhe e katërt e krushqisë) është njëkohësisht anëtar i njësisë akademike ku ai/ajo ka konkurruar”- thuhet në pikën 2 të nenit 152 të Statutit.
Statuti i parë i Universitetit të Prishtinës ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2011.
KALLXO.com do të iu mbajë të informuar në lidhje me mbledhjen e senatit të UP-së të hënën.