Ndërtesa e Universitetit të Prizrenit | Foto: KALLXO.com

Parlamenti Studentor akuzon NISMA-n për ndërhyrje në zgjedhje të rektorit në Universitetin e Prizrenit

Parlamenti Studentor në Universitet të Prizrenit ka reaguar ndaj vendimit të Këshillit Drejtues të këtij universiteti për shtyrjen e votimit për rektorin e  ri.

Përmes një reagimi ata thonë se janë të shqetësuar për këtë vendim të Këshillit Drejtues dhe se dyshojnë se po planifikohen ndikime në zgjedhjen e rektorit.

“Për këtë gjë më së miri flet kjo foto e cila është bërë dje në UPZ gjatë intervistimit të kandidatëve për Rektor, ku shihen u.d. Rektori i tanishëm Prof.Ismet Temaj së bashku me Demir Limajn, vëllaun e kryetarit të Partisë Nisma e cila udhëheq MASHT-in. Demir Limaj, i angazhuar së fundmi në UPZ, për të cilin flitet që do të vijë edhe si profesor i rregullt, së bashku me disa militantë të Nismës ka qëndruar gjatë tërë ditës së djeshme në kampusin e UPZ duke tentuar të ndikojë tek anëtarët e Këshillit Drejtues në zgjedhjen e Rektorit.”, thueht në reagimin e tyre.

Tutje Parlamenti Studentor u ka bërë thirrje politikanëve ‘që t’i mbajnë larg duart nga Universiteti sepse si pasojë e këtyre ndikimeve Universiteti ka mbetur që një kohë të gjatë pa Rektor të rregullt’.

Ata tregojnë se gjatë kësaj periudhe, studentët e diplomuar nuk kanë mundur t’i marrin diplomat e tyre.

“Sot e ka të zgjedhur një u.d Rektor në mënyrë të jashtëligjshme dhe parregullsitë janë të mëdha. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe, nga Agjencia e Akreditimit janë pezulluar drejtime me rëndësi jetike për Universitetin. Ne ju bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të KD që të tregohen të matur me veprimet tyre dhe mos të bëhen pjesë e pazareve të ndyra të politikës sepse e ardhmja e Universitetit është në duart e tyre dhe faturën e asaj që do të ndodhë nesër do ta bartin vetëm ata.”, thuhet më tej në reagim.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, kishte vendosur që të shtyjë votimin për rektor të këtij universiteti, për të mërkurën (8 maj).

Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Bedri Muhadri kishte thënë për KALLXO.com se intervistat e kandidatëve ishin të gjata, andaj kanë vendosur që votimin ta bëjnë pas dy ditësh.

Kandidatët potencial për rektor ishin profesorët Ismet Temaj, Kadri Kryeziu, Naser Pajaziti, Bekim Berisha dhe Hamdi Hoti.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë kandidatin Temaj mirëpo ai nuk ka qenë i qasshëm në telefon. Po ashtu, kontakti me Demir Limajn ka qenë i pamundur për një koment të menjëhershëm.

Rektori i tanishëm Prof. Ismet Temaj së bashku me Demir Limajn, vëllaun e kryetarit të Partisë Nisma, Fatmir Limaj Foto: Parlamenti Studentor

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar lidhur me ndikimet politike në zgjedhjet e kaluara pë rektor të UPZ-së.

‘Kthetrat’ e politikës në Universitetin e Prizrenit