Demir Limaj tregon pse u takua me kandidatin për rektor në Universitetin e Prizrenit

Një fotografi që tregon Demir Limajn së bashku me kandidatin për rektor të Universitetit të Prizrenit, Ismet Temaj, qarkulloi ditën kur ishte paraparë të bëhet zgjedhja e rektorit.

Demir Limaj, vëllai i kryetarit të Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tregoi për KALLXO.com se pse u takua me ushtruesin e detyrës së rektorit.

Limaj pranoi që u takua me Temajn ditën e zgjedhjeve mirëpo sipas tij nuk u bisedua për procesin zgjedhor.

“ Unë jam staf i angazhuar dhe janë takime të rregullta me rektorin, me të gjithë personelin akademik, kurgjo tjetër nuk ka.Unë kam pasur disa detyrime të mia në administratë, me disa lista që duhet me i dorëzu, e kemi si rregull për shkak të pagesave mujore. Qaq ka qenë”, tha Limaj.

Ai shtoi se nuk i takon të përzihet në zgjedhjet për rektor.

“A është e ndalume me u taku me rektorin profesorat? Nuk më interesojnë (zgjedhjet). Unë jam staf akademik, nuk është çështje ime mu përzi në përzgjedhjen e rektorit.”, tha Limaj.

Kujtojmë se edhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i takon partisë Nisma Socialdemokrate.

Të hënën, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prizrenit intervistoi kandidatët për rektor mirëpo votimi për ta u shty për të mërkurën.

Sipas kryesuesit të Këshillit, shtyrja u bë për shkak të kohës së gjatë të kaluar në intervista.

Parlamenti Studentor në Universitet të Prizrenit sot ka reaguar ndaj vendimit të Këshillit Drejtues të këtij universiteti për shtyrjen e votimit për rektorin e  ri.

Përmes një reagimi ata thonë se janë të shqetësuar për këtë vendim të Këshillit Drejtues dhe se dyshojnë se po planifikohen ndikime në zgjedhjen e rektorit.

“Për këtë gjë më së miri flet kjo foto e cila është bërë dje në UPZ gjatë intervistimit të kandidatëve për Rektor, ku shihen u.d. Rektori i tanishëm Prof.Ismet Temaj së bashku me Demir Limajn, vëllaun e kryetarit të Partisë Nisma e cila udhëheq MASHT-in. Demir Limaj, i angazhuar së fundmi në UPZ, për të cilin flitet që do të vijë edhe si profesor i rregullt, së bashku me disa militantë të Nismës ka qëndruar gjatë tërë ditës së djeshme në kampusin e UPZ duke tentuar të ndikojë tek anëtarët e Këshillit Drejtues në zgjedhjen e Rektorit.”, thueht në reagimin e tyre.

Kandidatët potencial për rektor ishin profesorët Ismet Temaj, Kadri Kryeziu, Naser Pajaziti, Bekim Berisha dhe Hamdi Hoti.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë kandidatin Temaj mirëpo ai nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar lidhur me ndikimet politike në zgjedhjet e kaluara për rektor të UPZ-së.

‘Kthetrat’ e politikës në Universitetin e Prizrenit